Trajneri i Shqipërisë, Silvinjo, foli në konferencën për shtyp, një ditë para ndeshjes me Italinë në Europian, që do të transmetohet në Tv Klan.
Tekniku kuqezi, theksoi se Shqipëria është në një grup shumë të vështirë, por do të kërkohen sa më shumë pikë. Gjithashtu ai zbuloi se formacionin e ka thuajse gati.
“Jam shumë i gëzuar që jam këtu. Kemi pasur një garë shumë të vështirë në kualifikuese. Është nder i madh që jam me Shqipërinë këtu. Është fantastike që Gjimshiti ka mundësinë të jetë këtu dhe të jetë pjesë e skuadrës si kapiten, e meriton këtë. Jemi në një grup shumë të vështirë. E dimë sesa e vështirë do të jetë përballë kundërshtarëve, por do të shkojmë aty për të luftuar për çdo pikë. E dimë që nuk do të jetë e lehtë. Do të jetë një ndeshje e vështirë ndaj Italisë. Formacioni thuajse është i gati.
Kemi aq shumë shqiptarë në të gjithë botën. Ka shumë shqiptarë në Gjermani, Itali dhe Zvicër. Është përgjegjësi e madhe për ne, që t’i përfaqësojmë në këtë ndeshje. Është bukur në një stadium që do të jetë i mbushur me ngjyrat tona dhe kjo do të jetë diçka e madhe për ne.”, tha fillimisht Silvinjo.
Trajneri Brazilian, vlerësoi maksimalisht kundërshtarin, duke thënë se në fushë futen vetëm për fitore dhe për të marrë trofeun.
“Mancini ka bërë një punë të mrekullueshme, duke fituar Europianin e kaluar. Nuk kam folur prej kohësh. Ka një ndryshim mes Italisë së kaluar dhe asaj tani. Italia është një skuadër e nivelit të lartë. Kanë lojtarë të mrekullueshëm. Kanë trajner të shkëlqyer. Mancini ka bërë punë shumë të mirë, po ashtu edhe Spalletti. Italia është një skuadër e madhe. Kur del në fushë, e bën për të fituar kompeticionin.
Pas ndeshjes me Moldavinë, ndjenja ishte e mrekullueshme. Skuadra është shumë e motivuar. Është një ditë e mrekullueshme për të përfaqësuar vendin. Është ndeshje me emocione dhe do të futemi aty për të bërë më të mirën”, theksoi timonieri i Shqipërisë.
Sipas tij, Shqipëria mund të lërë shenjë, ndërsa përmendi rastin e Zvicrës në Botërorin e 2018-ës, ndaj Brazilit.
“Strakosha apo Gjimshiti, është pikëpytje e madhe për ju dhe për ne. Italia mund të ndryshojë skemën. Kanë një anë të fuqishme dhe e vështirë të thyhen. Nëse flasim në tërësi, Italia ka një anë të fortë, nëse luajnë 4-3-3, mbrohen shumë mirë. Kanë lojtarë që vrapojnë shumë dhe shpejt. Ne kemi ende një stërvitje për të bërë. Kemi ende disa gjëra për të vendosur.
E dimë sesa të fortë janë kundërshtarët tanë. Në vitin 2018 në Botëror, Brazili luajti ndeshje të barabartë me Zvicrën. Lojtarët japin maksumimin dhe nuk është e lehtë. Ne kemi ardhur këtu për të luajtur, për të provuar dhe për të bërë më të mirën. Italia nuk mund t’i lejojë vetes shumë gabime. Do futemi dhe do të luftojmë për çdo pikë. Është një garë shumë e vështirë, por gjithçka mund të ndodhë në një ndeshje futbolli.”
Trajneri i Shqipërisë, u shfaq besimplotë, se skuadra do të futet në fushë dhe do të bëjë më të mirën, ndërsa nuk i kuresu lavdet për Mitajn dhe Dakun.
“I kemi studiuar kundërshtarët në javët e fundit. Jemi përqendruar shumë ndaj Italisë. Kemi punuar 6-8 ditë, që është një cikël shumë i rëndësishëm në futboll. Kemi 3-4 ditë për të përgatitur ndeshjen e dytë dhe atë të tretë. Italinë e kemi përgatitur prej një jave. Dëshira është të dalim dhe të bëjmë mirë në fushë.
Kur një lojtar vjen me më shumë ndeshje, është më mirë. Nga ana fizike, kanë bërë një punë shumë të mirë, sa i përket përgatitjes individuale. Sa i përket Asanit dhe Brojës, duken shumë mirë nga kjo pikëpamje. Sa më tepër luan një lojtar janë më mirë.
Daku është një lojtar shumë i mirë, e kuptoj që mund të përmirësohen në Ligën Ruse, është ligë e vështirë fizikisht dhe sfiduese. Aty mund të forcohen si sulmues të fuqishëm. Mitaj ka qenë një mbrojtës i majtë, kam qenë edhe unë i tillë. Është lojtar taktik, i ri. Duhet të luajë më shumë. Është një lojtar që e dua dhe e kam sjellë kur ka qenë 19 vjeç. Ka bërë një punë shumë të mirë. Ka pasur vetëm 10 ndeshje deri tani në ekipin e parë. Të dy më pëlqejnë dhe mund të përmirësohen shumë në Rusi.”, u shpreh Silvinjo.
/tvklan.al