Prej më shumë se 24 orësh Vlora është duke u përballur me situatën e pazakontë që shkaktoi moti i keq i pasuar me përmbytje. Pasditen e së shtunës situata ishte më e qetë edhe për shkak të ndërprerjes së reshjeve.

Megjithatë disa akse kryesore të qytetit kanë ende prezencë të ujit, ndërsa nuk mungojnë problemet edhe me mungesën e energjisë. Rruga Transballkanike, Bulevardi i Vlorës, Lungomarja si dhe rrugët “Gjergji Araniti”, “Gjergj Kastrioti” dhe “Kosova” ishin më problematiket.

Shumë automjete janë ende të bllokuar nëpër garazhe të mbushur me ujë. Rreth 55 banorë u evakuuan duke u strehuar në konviktin e universitetit të Vlorës. 3 persona u shpëtuan nga vala e përmbytjeve.

Me dhjetëra banesa dhe hyrje pallatesh janë ende të zhytura në ujë. Këto janë pamjet në banesat private të disa prej banorëve të prekur.

“Nuk futem dot në shtëpi. Jam në qiell të hapur, i lutem shtetit të më ndihmojë. Nuk kam ku vete më. Nuk kam rroba. Siç jam kështu, jam gdhirë tërë natën”, shprehet një prej banoreve.

Bizneset kanë nisur të largojnë ujin dhe të bëjnë bilancin e dëmeve, që sipas tyre, arrin në miliona lekë.

“Ne që kemi dëmin e ndjejmë shumë. I kalon 70-80 mijë euro, në mos më shumë”, tha një prej tyre.

Problematike është situata edhe në zonën e Kalasë ku si pasojë e rrëshqitjes së gurëve janë rrezikuar disa banesa.

Rrëshqitjet e dherave kanë krijuar probleme edhe në rrugët që lidhin Kaninën dhe Orikumin me Vlorën. Situatën problematike e ka konfirmuar edhe kryetari i bashkisë, Ermal Dredha.

“Hidrovori ka qenë në kapacitet të plotë, por dy nga pompat nuk kanë funksionuar për shkak edhe të vjetërsisë…”

Dredha thotë se bashkia është duke monitoruar situatën dhe se po shikohet mundësia për mbështetje financiare për familjet e prekura.

“Jemi duke bërë një databazë me gjithë informacionet që kemi për të marrë ato masat që vijnë më pas edhe suportit financiar dhe kompensimet për dëmin që u është shkaktuar qoftë në banesa”, tha Dredha.

Në ndihmë të banorëve ka qenë edhe ushtria. Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu thotë së 62 objekte janë nën ujë. Ai foli edhe për shkaqet që çuan në këtë situatë.

“Kemi një situatë ku në shumë pak orë kanë vërshuar 20 centimetra ujë. Ka edhe shkaqe teknike që lidhen me gjithë rrjetin infrastrukturor”, tha Vengu.

Çlirimi i ujërave nga katet e para të pallateve dhe banesave mbetet prioritet. Në qytetet e tjera përmbytjet e një dite më parë nuk kanë shkaktuar dëme.

Tv Klan