Pas 13 vitesh, Saimir Pirgu është rikthyer në Teatrin Kombëtar të Operas dhe Baletit me operën “Tosca”. Veç saj, ai sjell edhe një krijim tijin, albumin “Saimir”, në 5 gjuhë të botës me 21 arie nga më të njohurat ku mes tyre edhe “Skënderbeu” e Prenk Jakovës.
Në një intervistë ekskluzive në programin “E Diela Shqiptare” në Tv Klan, tenori tregon për këto projekte artistike, por edhe ato që e presin. Ai ka qenë në skenat më të mëdha që dikur ndoshta veç i ëndërronte e sot i ndodh që të debutojë rolet e mëdha.
Sot, një nga dëshirat më të forta që ka është të interpretojë në Kosovë, ku as nuk ka qenë ndonjëherë.
Saimir Pirgu: Një dëshirë e imja ka qenë gjithmonë të interpretoja njëherë në Operën e Kosovës, që nuk ekziston akoma dhe le të themi, nuk ka një teatër në Kosovë dhe këtë vit do të shkoj për herë të parë të jap një koncert në Kosovë. Shkoj për herë të parë edhe si qytetar.
Ardit Gjebrea: Nuk ke qenë asnjëherë në Kosovë?
Saimir Pirgu: Nuk kam qenë asnjëherë në Kosovë kështu që…
Ardit Gjebrea: Si ka mundësi?
Saimir Pirgu: Po ja si ka mundësi, tani unë kam ikur në vitin 2000 nga Shqipëria dhe nuk kam mundur.
Ardit Gjebrea: Sa vjeç ke qenë?
Saimir Pirgu: 18 vjeç.
Ardit Gjebrea: 18 vjeç ke ikur.
Saimir Pirgu: Matura 2000.
Ardit Gjebrea: Dhe shkove ku, në cilin qytet?
Saimir Pirgu: Në Bolzano të Italisë.
Ardit Gjebrea: Ti ke bërë mësim edhe me Pavarotti-n?
Saimir Pirgu: Po.
Ardit Gjebrea: Si ka qenë?
Saimir Pirgu: Ëndërr, ëndërr e bukur. Zgjohesh një ditë dhe të vjen Pavarotti mu në Bolzano, në qytetin që ti studion dhe u bë e mundur që unë të studioja me të dhe u bë e mundur që të bëheshim miq dhe jemi miq akoma sot me familjen e tij.
Ardit Gjebrea: E ruan miqëisnë?
Saimir Pirgu: E ruajmë miqësinë. Nga fatet më të mëdha që kam pasur në jetë që të merrja informacionin direkt nga një mjeshtër si Luciano Pavarotti. Kjo e quaj veten të lindur me këmishë siç i themi shqip./tvklan.al