“Stop” ishte në Vlorë për problemin e studentëve, që kanë përfunduar studimet për juridik në vitin 2022 në universitetin privat “Pavarësia”, ku janë matrikulluar dhe janë pajisur edhe me diplomë.

Por ndërkohë kanë filluar studimet Master në Universitetin “Ismail Qemali” dhe në vitin e dytë pengohen, pasi QSHA nuk i matrikullon, duke ua quajtur të pavlefshme diplomën, pasi universiteti nuk ka qenë i akredituar. 


“Ne kemi kryer studimet Bachelor në kolegjin universitar “Pavarësia” i cili është një universitet privat. Gjatë periudhës 2019-2022 ku në këtë vit jemi diplomuar dhe jemi pajisur edhe me diploma dhe me numër matrikullimi, ku çdo gjë shfaqet në rregull. Më pas jemi regjistruar në Master në Universitetin “Ismail Qemali” ku në përfundim të vitit të parë Master na është paraqitur problematika nga QSHA se nuk mund të paraqitemi me numër matrikullimi për Master pasi programi Bachelor është i paakredituar nga Universiteti “Pavarësia”. Gjendemi në vitin e dytë të studimeve Master ku na janë pezulluar studimet, nuk na lejohet të bëjmë pagesa, as të regjistrohemi për lëndë. Instancat ku jemi drejtuar nuk kanë kthyer një përgjigje për interpretim se çfarë duhet të bëhet me ne studentët. Janë qindra studentë prej vitit 2018 në të cilin është përfunduar cikli i akredimit të mëparshëm të universitetit, qindra studentë që nga 2018 e këtej, janë me të njëjtën problematikë si ne”, shprehet studentja denoncuese.

Gazetarja u takua me zëvendësrektorin e universitetit “Pavarësia”, Siri Hoxha, i cili pretendon se diploma e këtij universiteti është e rregullt dhe zgjidhja duhet kërkuar në ministri.

“Këta janë regjistruar me portal, kanë matrikullimin nga QSHA. Ne bëjmë një proces që kontrollohet dhe monitorohet dy herë në vit nga ministria. Kemi qenë në proces akreditimi, kanë mbyllur studimet në mënyrë të rregullt”, tha ai.

Në 2019 kur universiteti ishte në proces akreditimi, studentëve u është dhënë mudësia ta zgjedhin këtë universitet pavarësisht se nuk iu jepej siguria që në përfundim të ciklit të studimeve do të kishin një diplomë të vlefshme apo jo.

Siri Hoxha: Ne kemi mbajtur gjithë komunikimin me ministrinë për këtë çështje. Ministria ka filluar korresponcën me QSHA. U kërkon atyre t’i matrikullojnë. Ata i kthejnë.

Gazetarja: Jo nuk ua kërkon sepse ju nuk keni qenë të matrikulluar në kohën që këta kanë përfunduar studimet.

Siri Hoxha: Nuk është ashtu sepse ka edhe një vendim të ministrisë që i thotë QSHA-së që këta studentë do të matrikullohen.

Gazetarja: Ku e keni përgjigjen? Pse nuk ua keni vënë në dispozicion? Sot janë përpara faktit që nuk regjistrohen dot.

Studentja: Madje më mbylli telefonin dhe kur kam ardhur në shkollë për t’u takuar kanë lajmëruar që të ikni dhe unë s’kam gjetur asnjë njeri. Ma pajisni shkresën që ka paraqitur ministria për matrikullimin tonë. Ku është?

Siri Hoxha: Ok, hajde t’ua jap lart.

Studentja: Po hajde.

Siri Hoxha: Po patjetër.

Gazetarja: Studentët nuk mund të mbarojnë Masterin.

Siri Hoxha: Po flet jashtë mase keq.

Gazetarja: Sepse nuk u njihet Bachelor.

Siri Hoxha: Po flet jashtë mase keq.

Gazetarja: Më jep një përgjigje për këta studentë.

Siri Hoxha: Shko, drejtoju ministrisë.

Gazetarja: Jo mor zotëri, u ngjitëm deri këtu sepse ju keni një zgjidhje për këta studentë.

Siri Hoxha: I ka mbaruar moj studimet tek unë, i ka marrë të gjitha.

Gazetarja: Po nuk ju njihet more zotëri, nuk ju njihet.

Siri Hoxha: Po shko pra kërkoja ministrisë pse e kanë lënë këtë gjë.

Gazetarja: Si e keni bërë ju këtë diplomë në një kohë që nuk keni patur akreditim?

Siri Hoxha: Moj po kemi qenë në proces akreditimi dhe ka vendim për këtë.

Gazetarja: Po dhe ju nuk e keni fituar akreditimin.

Në Mars 2023 është përgjigja negative nga Agjencia e Akreditimit të Institucioneve të Arsimit të Lartë për Universitetin “Pavarësia”.

Por deri më tani nuk ka një përgjigje dhe zgjidhje për studentët që kanë përfunduar studimet gjatë kohës që ka zgjatur akreditimi nga 2018-a deri në vitin 2023.

Në Universitetin shtetëror “Ismail Qemali” rektori Roland Zisi thotë se përgjigja e këtij shqetësimi është në Ministrinë e Arsimit dhe QSHA.

“Përgjigje e kësaj pyetje është ministri, QSHA”, tha ai.

Sipas tij, regjistrimi i studentëve është bërë, pasi diplomat kanë patur numër matrikullimi dhe refuzimi më pas për matrikullim në Master është bërë nga QSHA-ja. 

Vetë QSHA thotë në përgjigjen zyrtare, se kur studentët janë matrikulluar në ciklin e parë të studimeve në Universitetin “Pavarësia”, është marrë parasysh licenca në vitin 2009.

Ndërkohë në vitin 2022 nuk matrikullohen sepse universiteti në 2019-2022 ka qenë i pa akredituar. Kjo ndodh, kur ky institucion ishte ai që i matrikulloi në 2019-ën.

Kulmi i kësaj historie, është njohja si të vlefshme nga ana e Ministrisë së Arsimit për diplomat e lëshuara nga kolegji universitar “Pavarësia” dhe nga QSHA jo.

Dhe së fundi në 6 Dhjetor 2023 është marrë vendimi nga Këshilli i Ministrave për mbylljen e këtij universiteti./tvklan.al