Tre ditë pasi emisioni investigativ “Stop” në Tv Klan porositi 1 ton mish nga Kosova tek “Apetit sh.p.k”, sasia e filetos së viçit erdhi në Tiranë përmes pikës doganore të Morinës duke i kaluar të gjitha kontrollet e vulave veterinare të therjes apo edhe falsifikimi i origjinës së mishit. “Apetit sh.p.k” kishte falsifikuar edhe çmimin për të mos paguar detyrimet në bazë të çmimit real prej 15 Eurosh për 1 kg mish fileto viçi.

Qytetari: Vetëm 1 paletë është?

Shoferi: Edhe 1 është përpara.

Qytetari: Është edhe 1 para. Janë dy paleta.

Shoferi: Po!

Qytetari: Kush është e doktorit?

Shoferi: Është ky Fatmiri. Një copë e ka marrë për mostër doktori juaj.

Një pjesë të pagesës të 1 ton fileto mishi, “Stop” e bën “cash” në dorë sepse “Apetit sh.p.k”, për të shmangur taksën, e ka deklaruar më pak në faturë çmimin e filetos së mishit.

Qytetari: Tani numëroji, që të jemi…

Shoferi: 5 500! (Euro)

Qytetari: Në rregull jemi?

Shoferi: Po!

Qytetari: Tani për të dalë, del dot? Orientohesh dot, apo të sjell djalin unë?

Shoferi: Jo, jo!

Qytetari: Data e therrjes 26.01.2024. Eksportues “Apetit”.

Qytetari: Tani ta hapim, të shohim mishin e Brazilit këtu brenda. Kjo, që porositëm. Komplet mish Brazili.

Në të gjithë sasinë e 1 ton fileto mish viçi mungojnë vulat veterinare, një element sigurie që tregon që ky mish është therur apo jo në thertoren “Apetit” në Kosovë.

Kapllan Sulaj, Dekan, Fakulteti i Bioteknologjisë: Nëse mishi është prodhim i freskët i vendit është vula e inspektorit veterinar të thertores, e cila vendoset në trupin e kafshës. Kur mungon vula, ka një dyshim mbi freskinë apo mbi sigurinë e mishit, vula është detyrim ligjor sepse mish kur prodhohet ka 2 kontrolle, njëri para therjes dhe tjetri pas therjes që kurorëzohet në fund me një vulë. Kjo e identifikon që është mish i freskët dhe ka kaluar inspektimin dhe është i sigurtë për t’u përdorur. Në të kundërt, në rast se këto vula nuk mbarten në trupin e kafshës, mbi sigurinë e produktit ka një pikëpyetje të madhe.

Në thertoren “Apetit sh.p.k” ka një zyrë që është shtetërore nga Agjencia Kombëtare e Ushqimit dhe Veterinarisë. “Stop” ka siguruar dokumentin që është përdorur për falsifikimin e origjinës së mishit nga inspektori Qenan Maxhuni.

Gazetari: Në datën 18 Mars të 2024-ës ka ardhur nga ngarkesë në Shqipëri, rreth 1 ton mish me origjinë nga Kosova, ku thuhet që është therur në Janar dhe e keni firmosur ju këtë dokument.

Qenan Maxhuni: Po!

Gazetari: Është vërtetë mish Kosove apo është…?

Qenan Maxhuni: Për momentin, nuk mund t’ju them asgjë.

Për këtë skandal, “Stop” shkoi në Agjensinë e Ushqimit dhe Veterinarisë, ku zëdhënësi për mediat pasi u njoh me problemin tha se do të nisë një hetim nga ky institucion në bashkëpunim edhe me institucione të tjera ligjzbatuese për dënimin e këtij fenomeni, që dëmton konsumatorin dhe ekonominë./tvklan.al