Pas letrës së Presidentit Bajram Begaj dërguar Kuvendit lidhur me skandalin e mikrokredive, ka reaguar grupi parlamentar i PD-së.

Në një deklaratë, demokratët thonë se konstatimet e presidentit janë në një linjë me qëndrimet e PD-së për këtë çështje. Ndaj ata shprehen të gatshëm për komision të posaçëm për zgjidhjen e kësaj çështje.

“Dhe pikërisht në përgjigje të shqetësimeve të ngritura nga Presidenti i Republikës, Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike shpreh gatishmërinë që me fillimin e sesionit të ri parlamentar të mbështes ngritjen e një komisioni të posaçëm për të kontrolluar zbatimin e ligjit nga institucionet përgjegjëse, për të nxjerrë përgjegjësitë institucionale dhe përgatitur rekomandimet e nevojshme për rishikimin, ndryshimin apo përmirësimin e kuadrit ligjor relevant, duke i dhënë zgjidhje dramës jetësore të mijëra familjeve në nevojë”, tha grupi parlamentar i PD.

Presidenti Begaj iu drejtua Kuvendit këtë të mërkurë ku tha se viktima të grabitjes janë bërë një numër i lartë individësh të cilët në masë i përkasin shtresave të shoqërisë që janë vulnerabël dhe pa mjete mbrojtëse. Ai theksoi nevojën për një reagim të fortë, të bashkërenduar dhe efikas të të gjitha strukturave për të goditur këtë skemë abuzimi dhe për të siguruar që të tilla ngjarje të mos përsëriten në të ardhmen./tvklan.al