Gjykata ka vendosur masën “arrest në burg” për oficerin e pikës së kalimit kufitar në Rinas, Briken Tereziu, i cili është ende në kërkim. I njejti vendim është marrë edhe për Eneo Sulejmanajn, që ndodhet në burg prej disa javësh për trafik droge.
Nuk kanë ndryshuar masat për 7 punonjësit e tjerë të komisariatit të Rinasit, 3 prej tyre do të hetohen në “arrest në shtëpi”, ndërsa 4 të tjerët, detyrim paraqitje.
Eneo Sulejmanaj, i cili kishte në pronësi një agjensi udhëtimesh, bashkëpunonte me ndihmës kontrollorin e Rinasit, Briken Tereziu. Ky i fundit kur nuk ishte në turn i delegonte rastet tek kolegët e tjerë.
Sipas prokurorisë, rreth 300 qytetarë janë lejuar të udhëtojnë nga Rinasi kundrej ryshfetit, për shkak të problemeve të ndryshme që kishin me dokumenta.
Ata paguanin deri në 500 Euro, në varësi të problematikave që kishin. Shumë prej tyre nuk lejoheshin të futeshin në zonën Shengen për shkak të qëndrimit jashtë afateve.
Destinacioni i qytetarëve përcaktohej fillimisht një vend jashtë BE-së dhe më pas nga transiti, udhëtonin drejt shteteve të unionit.
Nga përgjimet e zbardhura nga prokuroria, rezulton se grupi merrte para edhe për fëmijëve të cilët nuk kishin prokurë nga prindërit.
Hetimet e autoriteteve, zbuluan se 16 punonjës policie merrnin nga 50 Euro edhe personave që nuk kishin asnjë problematikë, por mashtroheshin prej tyre.
Klan News