Institucioni i Avokatit të Popullit i kërkon prokurorisë së përgjithshme ndjekjen penale të prokurorëve dhe gjyqtarëve të cilët shkelin ligjin, duke mbajtur jashtë afateve procedurale shumë të dënuar në qelitë e burgimit.

Skënder Haluca, si zëvendës i Avokatit të Popullit deklaron se deri më sot në asnjë rast nuk është regjistruar një procedim për një punonjës të administratës, qoftë ky prokuror, gjyqtar apo i administratës së burgjeve.

Skënder Haluca: “Rasti më konkret është rasti i denoncimit që ka bërë Ministria e Drejtësisë ndaj dy prokurorëve të prokurorisë së rrethit gjyqësor Shkodër, pa e paragjykuar vendimin e pushimit të dhënë nga prokuroria që ka hetuar këtë çështje apo vendimin e gjykatës kush e ka pushuar këtë çështje unë kërkoj që prokuroria duhet të kishte thelluar hetimin e kësaj çështje dhe duhet të kishte nxjerrë personat përgjegjës”.

Për 18 vjet me radhë nuk është shënuar asnjë rast i dhënies së dënimit për gjyqtarë apo prokurorë që kanë shkelur të drejtat e të dënuarve.

Skënder Haluca: “Qoftë prokuroria, qoftë edhe Këshilli i Lartë i Drejtësisë dhe Ministria e Drejtësisë fokusohen atje ku shkelen interesat e shtetit, ku shkelen interesat e prokurorisë, ku zbutet sipas atyre lufta ndaj krimit, por nuk është fokusuar asnjëherë kur shkelen të drejtat e njeriut”.

Kodi i procedurës parashikon dënimin e tyre nga gjobë deri në 3 vjet, për akuzën e mos marrjes së masave për të ndërprerë gjendjen e paligjshme.

Në shumë prej rasteve janë vetë të dënuarit që telefonojnë apo drejtohen me ankesa. Disa prej tyre janë takuar nga komisionerët gjatë inspektimeve, ku pas verifikimeve ka rezultuar se janë harruar në qelitë e burgut dhe pse e kanë mbaruar dënimin./tvklan.al

Gazetare: Anduena Llabani