Institucioni i Avokatit të Popullit shpreh shqetësimin e thellë lidhur me ngjarjen e rëndë të ndodhur në Pogradec, ku 42-vjeçari Egli Proga humbi jetën në rrethana të dyshimta.

Avokati i Popullit shpreh shqetësim për pretendimet e ngritura nga familjarët e viktimës dhe një pjesë e opinionit publik, lidhur me mundësinë e fshehjes apo manipulimit të ngjarjes nga strukturat e policisë lokale.

“Përsa më sipër Institucioni i Avokatit të Popullit njofton se ka nisur një verifikim të plotë mbi veprimet dhe procedurat e ndjekura nga organet kompetente në këtë çështje. Ky verifikim do të synojë të hedhë dritë mbi të gjitha aspektet e ngjarjes, përfshirë edhe pretendimet për moszbardhjen e drejtë të situatës,” thuhet në njoftim.

Ndërkaq kujtojmë se 42-vjeçari Egli Proga humbi jetën ditën e shtunë pasi ishte dhunuar nga 29-vjeçari Denis Meçe. Fillimisht kjo ngjarje u raportua si një vdekje aksidentale, po hetimet e Komisariatit të Policisë së Pogradecit kanë zbuluar se ai ka mbetur i vdekur pasi është dhunuar nga 29-vjeçai pas një konflikti për motive të dobëta.

Autori pasi e ka goditur disa herë viktimën është larguar nga vendngjarja për t’u arrestuar pak orë më vonë nga policia. Nga ana tjetër hidhen akuza se Drejtoria Vendore e Policisë Korçë ka tentuar që të fshehë krimin, që sipas një urdhri të lëshuar ditën e sotme nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku do të inspektohet.

Motra e viktimës mes dhimbjesh dhe lotësh në sy është shprehur “Policia ka lëvizur shumë vonë, është vrasje në bashkëpunim”, duke thënë më tej se dukej shumë qartë që vëllai i saj ishte dhunuar dhe nuk kishte vdekur aksidentalisht./tvklan.al