Mlada Boleslav është pengesa e radhës për Skënderbeun drejt objektivit grupet e Europa League. Kundërshtari i turit të tretë vlerësohet si më i vështirë nga trajneri Ilir Daja.
“Koefiçenti i vështirësisë është më i lartë se ndeshja me Kairat, sepse kanë lojtarë që po t’i lejosh hapësira të godasin.
”
Skënderbeu zhvilloi paraditen e së martës stërvitjen e fundit në Korçë. Ndeshja do të luhet të enjten në Çeki ku korçarët nuk do të kenë një nga më të mirët në fushë me Kairat Almaty, Sabjen Lilajn. Autori i golit të parë la fushën pas 2 kartonëve të verdhë. Megjithatë Ilir Daja e ka ndërtuar strategjinë e lojës, ku nuk do të qëndrojnë vetëm në mbrojtje.
“Do të jemi pak a shumë agresiv, sepse një gol në fushë kundërshtare është një bonus për ndeshjen e kthimit, por duke qenë gjatë të gjithë kohës në ekuilibër.”
Mlada Boleslav eliminoi irlandezët e Shamrock Rovers në turin e dytë të Europa League. Skënderbeu është ekipi i vetëm nga kampionati shqiptar që ka mbetur në garë në kupat e Europës./Tv Klan