Real Madrid ka mbërritur në Tiranë rreth mesditës për të zhvilluar takimin miqësor me Gramozin, ku do të caktohet dhe trofeu i tretë “Taçi Oil”.
Galatikët do të zbresin në fushën e stadiumit “Qemal Stafa” me të gjithë yjet mes tyre blerjet e bujshme të verës Cristiano Ronaldo dhe Ricardo Kaka. Të dy janë shfaqur në konferencën për shtyp së bashku me trajnerin Manuel Pellegrini.
Manuel Pellegrini: “Jemi të kënaqur që jemi këtu, për më tepër se të ardhurat nga shitja e biletave do të shkojnë për bamirësi, për zonat e përmbytura. Shpresoj që në takimin e sotëm të mbeten të gjithë të kënaqur.”
Cristiano Ronaldo: “Kur erdha me kombëtaren portugeze ishte një ndeshje kualifikuese dhe natyrisht qëndrova më shumë serioz, sepse ndodheshim në pozicion të vështirë. Sot jam më i qeshur dhe shpresoj t’i zbavisim ata që do të jenë në stadium.”
Edhe për brazilianin Kaka kjo është hera e dytë që vjen në Tiranë, pas sfidës Shqipëria B-Milan. Me madrilenët nuk janë vetëm Higuain, Van Nistelrooy dhe Van der Vaart, të tre të dëmtuar.
Real Madrid është një nga klubet sportive më të mëdha në botë dhe sezonin e fundit presidenti Fiorentino Perez me merkaton qindra milionë euro pretendon ta rikthejë sërish në majat e futbollit.
Para fillimit të ndeshjes do të mbahet 1 minutë heshtje për të nderuar Panajot Panon, i cili u shua dje pas një ataku kardiak./tvklan.al