Këtë të Premte, u prezantua anketimi i kryer tek qytetarët sa i takon besimit të tyre në Policinë e Shtetit. Ministri i Brendshëm Ervin Hoxha deklaroi se “në dekadën e fundit është transformuar ndjeshëm perceptimi i publikut ndaj uniformave blu”.
“65% e qytetarëve e vlerësojnë si të mirë ose shumë të mirë punën e Policisë”, theksoi ai.
“Ndajmë me ju sot një histori suksesi, të një institucioni që ka një shtyllë të fortë të sigurisë dhe besimit në rritje për shoqërinë shqiptare. Policia e Shtetit ka bërë hapa të mëdhenj drejt një të ardhmeje më të sigurt. Në dekadën e fundit, perceptimi i publikut është transformuar ndjeshëm. Rezultat i punës së palodhur, përfshirë modernizimin e Policisë së Shtetit, transparencën në çdo vendimmarje në kohë reale, përgjegjësinë ndaj komunitetit, bashkëpunimi me qytetarët dhe institucionet e tjera ligjzbatuese sepse siguria është detyra jonë parësore. 67% e qytetarëve kanë deklaruar se trajtohen me respekt dhe dinjitet nga Policia. 82% e qytetarëve ndihen më të sigurt në zonat ku banojnë.“
Sipas ministrit, rritjen e sigurisë e konfirmon edhe fakti që kishte 0 ngjarje kriminale gjatë 2024-ës, kur Shqipërinë e vizituan rreth 12 mln turistë. Ai bëri me dije se shumë shpejt, projekti “Smart City” do të implementohet në 20 qytete kryesore. “Do shërbejë për identifikimin e autorëve në kohë reale. Një tjetër sfidë për ne është edhe garantimi i zgjedhjeve elektorale të qeta, pa ngjarje”, tha Hoxha.
“Besimi nuk jepet, por ai fitohet. Kur shoh se 86% e qytetarëve janë të njohur me Policinë, më konfirmon se jemi në rrugën e duhur”, përfundoi ministri Hoxha.
/tvklan.al