Lista e Partisë Demokratike për zgjedhjet e 11 Majit ka lënë edhe shumë pakënaqësi pas. Deputeti Dashnor Sula deklaroi ndarjen me selinë blu. Gjatë një komunikimi me gazetarët para seancës së Kuvendit, Sula tha se u shkel me të dyja këmbët statuti i partisë.

“Ka të bëjë me parimet që duhet të ketë një forcë demokratike si PD, një forcë që zoti Berisha nisi aksionin e tij me foltoren e famshme, me moton, çdo individ politik dhe vota duhet të jetë e para në PD, por fatkeqësisht u shkel me të dyja këmbët statuti, u shkel me të dyja këmbët gjithçka dhe përfundimisht PD u zhbë statuti, u zhbë Kushtetuta e partisë”, tha Sula.

Sula u shpreh i ashpër ndaj përfaqësuesve të PD-së, ndërsa theksoi se është larguar me një vendim të njëanshëm. Ai theksoi se ka qenë më i votuari në primaret e Elbasanit si dhe ka plotësuar kërkesën për regjistrimin e mbi 300 bashkatdhetarëve në diasporë. Duke listuar të gjitha këto, Sula tha se nuk mund të lejojë që të “përdhunohet”.

“Sot pavarësisht se nuk jam më te PD që u largova për shkak të një vendimi të njëanshëm dhe jam i vetmi person bashkë me kryetarin e PD të Kavajës të cilët jemi përjashtuar nga të gjitha kriteret që na u kërkuan. Dola i pari në qarkun e Elbasanit. Isha duke punuar në diasporë. Në një kohë kur kryetarët e degëve, komisionerë, të gjithë ishin të foltores, përsëri demokratët më votuan. Kjo nuk u mor parasysh nga zoti Berisha, nuk u mor parasysh që më shumë problemi është i Sekretarit të Përgjithshëm, Flamur Noka dhe Alban Vokshit që vendosin kritere. Një kriter pasi u mbyllën primaret, pasi u mbyll procesi i regjistrimit të diasporës, u kërkua një numër brenda 2 ditëve 300 bashkatdhetarë tanë të regjistruar. 610 për dy ditë. Edhe 2 mijë mund t’i bëja. Tani nuk mund të lejoj, po përdor termin, të përdhunohem. Kam sakrifikuar për këtë parti jetën në kuptimin, familjen time, për gjithçka. Jam i vetmi person që nuk kam marrë kurrë një tender, në kohën që ka qenë Berisha kryeministër. Kam bërë opozitë të fortë përballë Edi Ramës”, tha Sula.

Kujtojmë se Sula u regjistrua në zgjedhjet e 11 Majit në koalicionin “Nisma Shqipëria Bëhet”./tvklan.al