Lajme Arkiva – TV Klan 2004

Ligjvënësit socialistë pranojnë vërejtjet e Presidentit të Republikës për kthimin e ligjit të pronave, vetëm nëse opozita pranon variantin e shumicës parlamentare për nenin 15, që kryetari i komitetit për kthimin dhe kompensimin e pronave të zgjidhet nga parlamenti dhe jo nga kreu i shtetit. Pas mbledhjes së grupit parlamentar, kryetari Gramoz Ruçi deklaroi, se ky qëndrim është institucional dhe jo dashakeq ndaj institucionit të presidencës.

Gramoz Ruçi: “Vendimi politik që mori grupi parlamentar nuk ishte kundra presidentit dhe aq më pak institucionit të vetë, përkundrazi qëndrimi jonë është po këtij kthimi të dekretit të presidenti, nëse opozita pranon ofertën që ne i ofruam, në të kundërt s’është faji jonë. Që të bësh dashuri duhen dy palë, s’duhet vetëm njëra palë”.

Socialistët u kanë dhënë dy ditë kohë demokratëve, për të pranuar kushtet deri në seancën e të enjtes, ku do të diskutohet dhe reforma territoriale, gjë për të cilën socialistët propozojnë ngritjen e një komisioni ad-hoc. Numri 2 i PS ftoi aleatët për t’u ulur ne komisionin e posaçëm për reformën zgjedhore, por sqaroi se pa u shprehur Gjykata Kushtetuese nuk do të ketë tryezë me përfaqësuesit e koalicionit për integrim.

Gramoz Ruçi: “Ne garantojmë se në asnjë rast, qëndrimet që do të mbajë mazhoranca socialiste nuk do të cenojë interesat politiko elektorale të aleatëve tanë politikë”.

Kërcënimit të socialdemokratëve, se do të rishikojnë pozicionin në koalicion nëse drejtuesit socialistë nuk distancohen nga qëndrimi i gazetës partiake, numri 2 i PS iu përgjigj.

Gramoz Ruçi: “Ka perënduar ajo kohë e partisë shtet, që kur fliste gazeta fliste partia. Sigurisht ju jeni përfaqësues të shtypit, jeni të lirë të shkruani çmendoni për politikanët për forcat politike dhe të tjerët, por s’ka asnjë gjë të qenësishme midis atyre që trajton kushdo kjo gazetë, qoftë edhe gazeta jonë me qëndrimet politike dhe në marrëdhëniet politike PS-PSD”./tvklan.al

Gazetare: Arta Tozaj