14 vjet pas protestës së “21 Janarit” ku mbetën 4 protestues të vrarë, socialistët vazhdojnë të kërkojnë drejtësi për ato që i quajnë vrasje shtetërore.
Kryeministri që mungoi në homazhet e përvitshme pasi ndodhet në samitin e Davosit, mesazhin e tij e dha në rrjetet sociale si replik me një ndjekës që e akuzonte se nuk ka bërë asgjë për të zbardhur vrasjet e “21 Janarit”.
“Duhet të jetë shumë e qartë që të gjitha pretendimet, kritikat apo akuzat drejtuar meje apo nesh, për mosdhënien ende të drejtësisë për “21 Janarin”, janë thjeshtë në adresë të gabuar. Nga ana tjetër, unë dhe ne, nuk kemi qëndruar duarkryq po kemi bërë një betejë historike epokale për drejtësinë, për pavarësimin e saj nga pushteti politik për krijimin e kushteve që drejtësia të bëjë drejtësi për të gjithë e për të gjitha”, tha Rama.
Rama thotë se nuk do të komentoj punën e drejtësisë për këtë çështje, por ai deklaron se zvarritja dhe moszbardhja e plotë e 4 vrasjeve po e njollos dhe vetë reformën në drejtësi.
“Çfarë mund të them për drejtësinë për “21 Janarin”? A kam gjëra për të thënë. Kam aq shumë sa nuk mund tua tregoj dot, por edhe sot do t’i rri besnik qëndrimit për të mos bërë komente, duke uruar dhe dashur të besoj se SPAK-u nuk do të jetë edhe për shumë kohë i zënë me gjithçka tjetër, përveçse me “21 Janarin”, i cili për më tepër është edhe një rast i qartë si drita e diellit dhe prandaj çdo vit që kalon, jo vetëm shton barrën e turpit mbi këdo që duhet të japë drejtësinë e munguar, po njollos edhe vetë Reformën në Drejtësi, duke poshtëruar, jo vetëm familjet e dëshmorëve të “21 Janarit”., po një popull të tërë që do drejtësi për “21 Janarin” dhe meriton drejtësi për “21 Janarin” sepse drejtësia për “21 Janarin” është një drejtësi, jo thjesht për një ngjarje të djeshme, por për Shqipërinë e sotme dhe të nesërmen”, tha Rama.
Ndërkohë nuk munguan edhe këtë vit homazhet. Zv.kryeministrja dhe ministrat shoqëruan familjarët e Ziver Veizit, Hekuran Dedës, Faik Myrtajt dhe Aleks Nikës që bënë homazhe duke vendosur lule në vendet ku u vranë në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.
Në Korrik të vitit të shkuar e detyruar nga një vendim i Gjykatës së Lartë, Prokuroria e Posaçme rihapi hetimet për dosjen e “21 Janarit”.
Procedimi është përqendruar në 3 vepra penale, atë të vrasjes në rrethana cilësuese, shpërdorimi i detyrës dhe veprimeve që pengojnë zbardhjen e të vërtetës.
Prokuroria e Posaçme sipas urdhrit të Gjykatës së Lartë duhet të sqaroje nëse ish-zyrtarë të lartë mbanin apo jo përgjegjësi për menaxhimin e protestës dhe pasojat që ajo solli me 4 të vrarë dhe të tjerë të plagosur.
Tv Klan