Partia Laburiste e Britanisë do të marrë pushtetin me një numër rekord vendesh në zgjedhjet kombëtare të së enjtes.

Sipas një sondazhi të kryer nga Survation tregon se laburistët e Keir Starmer mund të fitojnë 484 nga 650 vendet në parlament, shumë më tepër se 418 të fituara nga ish-udhëheqësi i partisë Tony Blair në fitoren e tij të famshme të vitit 1997.

Konservatorët, të cilët kanë qenë në pushtet për 14 vitet e fundit, parashikohet të fitojnë vetëm 64 vende, që do të ishin më të paktat që nga themelimi i partisë në 1834. Keir Starmer dhe Rishi Sunak mbyllin këtë të mërkurë fushatën mes thirrjeve para mbështetësve të tyre se do të ketë pasoja të rënda ekonomike nëse fiton njëri prej tyre.

“Mos harroni kaosin ekonomik për të cilin populli britanik ende po paguan çmimin. Nëse voton Konservatorin, asgjë nuk do të ndryshojë. Nëse nuk voton fare ose nuk voton për një parti tjetër, rrezikon të zgjohesh të Premten tek Rishi Sunak që ecën përsëri nga dera për në numrin 10”, tha në një deklaratë koordinatori i fushatës së Laburistëve Pat McFadden.

Fushata e Starmer është ndërtuar rreth një premtimi për të bërë ndryshime madhore në Britaninë e Madhe nga shërbimet publike dhe standartin e jetesës së njerezve që sipas Partisë Laburiste ka rënë ndjeshëm nën qeverisjen e Sunak.

Nga ana tjetër kryeministri britanik është përpjekur të bindë votuesit se 20 muajt e tij në krye të detyrës e kanë vendosur ekonominë në një rrugë të duhur pas goditjeve të Covid-19 dhe luftës në Ukrainë dhe ka premtuar se do të ulë numrin e emigrantëve të paligjshëm që vijnë nga vendet e konfliktit.

Në një dalje para votuesëve ish-kryeministri Boris Johnson kritikoi Starmer se fitorja e tij do t’a fuste Britaninë në një krizë dhe do të dështonte t’i rezistonte Vladimir Putinit. Mes të tjerash ai mbrojti të gjitha politikat që Sunak promovoi gjatë kohës që ishte në qeveri.

Klan News