Viti 2024 është më i sigurti për jetën e qytetarëve shqiptarë në dekadën e fundit. Kjo e dhënë del nga sondazhi i zhvilluar nga Instituti Agenda, që ka marrë në analizë shifrat e fataliteteve nga krimet apo aksidentet rrugore.
Kështu, në 6 muajt e parë të 2024, nga krimet humbën jetën 18 persona, ndërsa nga aksidentet 74, pra në total 92 viktima.
Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2023, kjo shifër ka pësuar një ulje të ndjeshme, me 17 viktima më pak.
Regjistrimi i këtyre shifrave përgjatë këtij viti, duket se reflektohet dhe në perceptimin qytetar.
76.5% e të anketuarve nga ky sondazh mendojnë se kriminaliteti është më i ulët ose shumë më i ulët në zonat ku banojnë.
Ky mendim lidhet dhe me vlerësimin pozitiv që qytetarët shprehin për reagimin e policisë. Kështu 70.5 e tyre mendojnë se uniformat blu reagojnë shpejt ndaj vjedhjeve/grabitjeve/krimeve në zonat ku banojnë.
Sakaq, 83% e tyre shprehin se ndihen të sigurt teksa ecin vetëm në lagje apo fshatin ku banojnë pasi është errësuar.
E dhënë kjo që lidhet dhe me praninë e policisë, që sipas 77.4% të të pyeturve ndihet shumë në zonat ku ata banojnë.
Në tërësi puna e Policisë së Shtetit merr një vlerësim pozitiv nga 70.1% e të anketuarve. Thuajse në të njëjtat kuota është dhe vlerësimi për mënyrën si uniformat blu po menaxhojnë turizmit.
Kështu 70.2% e qytetarëve të pyetur mendojnë se policia po përballon me sukses fluksin.
Sondazhi i zhvilluar nga Instituti Agenda ka qenë elektronik dhe është zhvilluar në datat 1-2 Qershor të ktij viti, ku pjesë e tij kanë qenë rreth 2000 qytetarë.
Tv Klan