Në studion e “Rudina” në Tv Klan e ftuar është sopranoja e njohur shqiptare, Ana Naqe. Ajo është një ndër shqiptaret më të suksesshme, duke prekur skenat më të mëdha evropiane e deri tek ato botërore. Sopranoja e shquar tregon për “Rudina” fillimet e karrierës së saj, kënaqësitë, por dhe vështirësitë e shumta.

Rudina Magjistari: Në fakt është histori interesante e jotja. Ti vjen nga qyteti i Fierit dhe ke bërë shkollën mesme të muzikës në Fier “Jakov Xoxa” ama ke studiuar për violinë aty.

Ana Naqe: Kam studiuar për violinë, fillova të këndoja në kor njëkohësisht, por jo për në shkollë, në Kishën Katolike, ku në Kisha Katolike ishte një prift belg dhe atje ai e pa talentin tim edhe për kanto dhe kështu nëpërmjet kishës fitova edhe bursë duke shkuar në Gjermani. Ndërkohë që kur isha 13 vjeç bëja edhe shumë koncerte bamirësie për shumë familje në Kamëz, në Durrës për të ndihmuar ata për të marrë këto fonde, si dhe këto koncerte shërbyen për të marrë edhe bursën time dhe kështu munda që të shkoj në Belgjikë dhe të bëj konkursin dhe të filloj studimet për kanto dhe për violinë.

Duke treguar disa copëza nga studimet e saj, Ana Naqe shprehet se nuk ka qenë shumë e lehtë të studionte për violinë dhe njëkohësisht edhe për kanto. Ajo shprehet gjithashtu se paralelisht me studimet punonte për të mbuluar shpenzimet.

Rudina Magjistari: Pra i ke vazhduar njëkohësisht violinën dhe kanton bashkë, ishte e lehtë t’i bëjë të dyja bashkë?

Ana Naqe: Nuk ishte e lehtë sepse kërkojnë të dyja shumë orë, sigurisht violina kërkon 8 orë në ditë, kurse kanto vetëm 1 orë e gjysmë. Në të njëjtën kohë kam punuar edhe jashtë studimeve për të mbajtur veten si edhe shkollën nuk diskutohet sepse prindërit e mi të dashur me mundësitë e tyre më janë gjendur gjithmonë afër, por gjithsesi këto shuma kolosale mes Shqipërisë dhe Belgjikës është e madhe./tvklan.al