Për kreun e Prokurorisë së Posaçme, Altin Dumani, drejtësia nuk njeh anë e kahe dhe se nëse ligjet shkelen nuk do të ketë të paprekshëm.

Përballë ndërkombëtarëve, kolegëve dhe institucioneve të tjera, në konferencën e 5-vjetorit të krijimit, kreu i SPAK bëri bilancin e punës së institucionit që drejton.

“SPAK ka sekuestruar dhe konfiskuar mbi 182 milionë euro asete, të siguruara përmes mjeteve të paligjshme. Janë proceduar 61 zyrtarë të lartë për korrupsion, nga të cilët 70% janë dërguar në gjykim. Sa i përket krimit të organizuar, janë proceduar 955 persona nga ku 55% e tyre janë dërguar në gjykim”.

Misionin e SPAK tha se nuk e shihte të mbaruar vetëm në dosjen e radhës.

“Ne jemi këtu për të garantuar një sistem drejtësie të fortë, ku ligji zbatohet dhe nuk është privilegj për disa e vuajtje për të tjerët”.

I pranishëm në ceremoninë e 5-vjetorit,  zëvendësndihmës sekretari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Alexandër Kasanof, mbështeti kërkesën e bërë nga kreu i SPAK, Altin Dumani, që prokurorët e posaçëm të fitojnë të drejtën e rikandidimit.

“Për të siguruar që SPAK të vijojë në të ardhmen luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit besojmë se prokurorët e SPAK duhet të lejohen të aplikojnë sërish pas përfundimit të mandatit të tyre aktual. Dështimi për të realizuar këtë, rrezikon të ndërpresë përpjekjen më të suksesshme kundër krimit të organizuar e korrupsionit në historinë shqiptare. Rrezikon humbjen e profesionistëve tuaj më me përvojë dhe njohurive të tyre institucionale”.

Ambasadori i BE, Silvio Gonzato e konsideroi SPAK një histori suksesi.

“SPAK është sinonimi i suksesit në Shqipëri dhe kjo është njohur nga vetë qytetarët shqiptarë sepse janë pikërisht ata që e kanë të qartë se SPAK është institucioni më i besuar në Shqipëri. Rezultati i procesit të anëtarësimit në BE do të vazhdojë të mbështetet tek kapacitetet dhe puna e Shqipërisë në luftën kundër krimit të organizuar, me hetime të dukshme, duke sekuestruar pasuritë që janë vënë në formë të paligjshme”.

SPAK nisi punën në 19 dhjetor të vitit 2019 dhe aktualisht ka në përbërjen e tij 20 prokurorë dhe 60 hetues të Byrosë Kombëtare të Hetimit.

Tv Klan