SPAK ka mbyllur hetimet për dosjen Metamorfoza duke dërguar për gjykim 7 persona. Biznesmeni Pëllumb Gjoka akuzohet për vrasjen e Gjin Ndojit në vitin 2020 si dhe për bashkëpunim në dy vrasje të tjera. Ndërsa ish-prokurori Xhevahir Lita dhe ish-shefi i Forcave Operacionale të Policisë, Oltion Bistri akuzohen për korrupsion dhe nxjerrje te sekretit.

Pas 9 muajsh hetime, Prokuroria e Posaçme njoftoi se ka përfunduar punën për dosjen e njohur “Metamorfoza” duke e dërguar atë në gjykatë. Përpara saj do të përballet biznesmeni Pëllumb Gjoka, por edhe të ashtuquajturit bashkëpunëtorë të tij, Astmer Bilali, Behar Brajoviq, Edmond Preka, ish-prokurori Xhevahir Lita, ish-shefi i operacionales Oltion Bistri si dhe ish-oficeri i policise, Ardrit Hasanbegaj.

Biznesmeni Pëllumb Gjoka, akuzohet për akuzohet për ‘Vrasje me paramendim’ të Gjin Ndojit, në 9 Gusht të vitit 2020 në qytetin e Shkodrës si dhe për sigurimin e kushteve për të vrarë Kleant Musabelliun, Dorjan Dulin dhe Ibrahim Licin. Gjoka akuzohet nga SPAK edhe për korrupsion aktiv të gjyqtarëve dhe prokurorëve dhe armëmbajtje pa leje.

Biznesmeni akuzohet se ka bashkëpunuar për vrasjen e Gjin Ndojit me Behar Brajoviq, (Bajri) dhe Edmond Prekën të cilët gjithashtu akuzohen për vrasje. Behar Bajri, akuzohet po ashtu edhe për sigurimin e kushteve për të vrarë Kleant Musabelliun, Dorian Dulit dhe Ibrahim Licit. Të njëjtat akuza prokuroria ka ngritur edhe për ish-zytarin e policisë Ardit Hasanbegaj. SPAK thotë se të gjithë këta funksiononin si një grup i strukturuar kriminal.

Ndërsa ish-prokurori Xhevahir Lita dhe ish-oficeri i forcave operacionale të Policisë, Oltion Bistri akuzohen për korrupsion dhe nxjerrje të sekretit.

Grupi u zbulua pas zbërthimit të mesazheve që atë kishin shkëmbyer në aplikacionet Encro Chat dhe SKY ECC. Grupit i janë sekuestruar edhe një sërë pasurish të paluajtshme ndërsa disa bashkëpunëtorë të tyre janë ende në kërkim, mes të cilëve edhe Ervis Martinaj. 

Klan News