Aurel Zarka, drejtues i Prokurorisë së Vlorës, është vënë në pranga me urdhër të Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.

SPAK ka firmosur urdhër-arrest edhe për avokatin Radovan Çela, ish-oficeren e Policisë Gjyqësore pranë ish-Prokurorisë për Krime të Rënda, aktualisht magjistrate në Shkollën e Magjistraturës, Erjona Dautaj, si dhe Astrit Vladin. Sipas informacioneve paraprake, të 3 janë shpallur në kërkim.

Dyshohet se akuzat që rëndojnë mbi këta shtetas janë ato të “korrupsionit” dhe “ushtrimit të ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, ndërkohë që akoma nuk dihet çështja penale për të cilën janë vënë nën akuzë. Hetimi ka bazë komunikimet e nxjerra nga aplikacioni “Sky”.

Akoma nuk ka një njoftim zyrtar nga SPAK, ndërsa detaje të tjera pritet të mësohen në vijim./tvklan.al