“Përgjigjen e duam brenda javës”
Informacioni që kërkon SPAK prej doganave ka lidhje me tenderat që u zhvilluan në Ministrinë e Mbrojtjes dhe atë të Shëndetësisë gjatë kohës së pandemisë. Në letrën që dërguan prokurorët kërkohet informacion mbi të gjitha mallrat e zhdoganuar gjatë periudhës së pandemisë.
Hetuesit kërkojnë përgjigje brenda kësaj jave, se nga kanë ardhur materialet dhe sa është vlera dhe sasia e zhdoganimit të tyre. Prokuroria e Posaçme kundër Krimit dhe Korrupsionit ka nisur hetimet pas denoncimit të Partisë Demokratike në lidhje me tenderat sekretë të Ministrisë së Shëndetësisë.
Bëhet fjalë për tenderat me procedurë direkte për të prokuruar materialet që i nevojiteshin Ministrisë së Shëndetësisë për përballimin e pandemisë.
E njëjta procedurë është ndjekur edhe me Ministrinë e Mbrojtjes për tenderin e ushqimeve. Deri tani janë marrë në pyetje 6 zyrtarë të kësaj Ministrie, të cilët kanë dhënë sqarime mbi mënyrën e tenderimit.
Ishte Partia Demokratike që dorëzoi në SPAK kallëzim penal me 6 akuza ndaj ministres të Mbrojtjes Olta Xhaçka për tenderin e ushqimeve, që sipas selisë blu, u fitua pa garë nga një kompani maqedonase.
Tv Klan