SPAK ka mbyllur hetimet dhe ka çuar në gjykatë dosjen në ngarkim të ish-kryetarit të bashkisë së Pogradecit, Eduart Kapri.
Prokuroria ka ngritur ndaj tij akuzën e shpërdorimit të detyrës që rëndon edhe ndaj dy zyrtarëve të tjerë, Besjan Meco me detyrë jurist në këtë institucion dhe Besmira Niko, specialiste pranë drejtorisë së planifikimit dhe zhvillimit të territorit në bashkinë Pogradec.
Në njoftimin zyrtar SPAK thotë se Kapri në cilësinë e kryebashkiakut dhe në bashkëpunim me dy punonjësit e tjerë, kanë lejuar kryerjen e punimeve në kundërshtim me ligjin të një pallati 14 katësh, nga shoqëria Gedi sh.p.k. Administratori i këtij subjekti është Gëzim Kapri, vëllai i kryebashkiakut.
Rezulton se bashkia e Pogradecit i kishte refuzuar zgjatjen e lejes së ndërtimit pasi kompania kishte bërë kërkesën jashtë afateve ligjore. SPAK thotë se kryetari i Bashkisë Pogradec lejoi jo vetëm përfundimin e punimeve të pezulluara, por dhe ndërtimin e një objekti 14 katësh, në rrugën “Reshit Çollaku”, Pogradec, nga shoqëria ndërtuese “Gedi” sh.p.k, me administrator vëllain e tij.
Ky ndërtim u lejua në kundërshtim të dy neneve të ligjit “Për planifikimin dhe Zhvillimin e Territorit”.
SPAK thotë se kjo solli përfitime materiale të padrejta për shoqërinë “Gedi” sh.p.k. pasi u shtua sipërfaqja ndërtimore me dy kate. “Për më tepër, dhënia e këtij vendimi është bërë në kushtet e konfliktit të hapur të interesit nga ana e të pandehurit Eduart Kapri”, thotë SPAK në njoftimin zyrtar.
Klan News