SPAK ka zhvilluar një operacion të gjerë në qytetin e Elbasanit dhe jashtë vendit. Janë caktuar gjithsej 21 masa sigurie, ndër to 18 “arrest në burg”, një arrest në shtëpi dhe për dy gazetarët, Artan Hoxha e Elton Qyno, “detyrim paraqitje”.

Ndaj ish-gjyqtares së Elbasanit Pajtime Fetahu, është caktuar masa “arrest në burg” ndërsa ajo po hetohej deri tani “arrest në shtëpi”. Të njëjtin vendim gjykata ka caktuar edhe për ish-drejtuesin e lartë të policisë, Dedan Gjoni, i cili procedohet për herë të tretë ndërsa mbetet i paqartë se cili është roli i tij në këtë dosje.

Klan News mëson se të gjithë personat janë zbuluar nga përgjimet në aplikacionit SKY ECC dhe Encro Chat. Ata rezultojnë të implikuar në aktivitetin kriminal të grupit të Suel Çelës. Dyshimet janë se gjyqtari dhe zyrtari i lartë i policisë kanë ndikuar në zbutjen e masës së sigurisë për një anëtar të grupit të Suel Çelës. Pikërisht nga verifikimet dyshohet se në këtë veprimtari është përfshirë edhe avokatja e Suel Çelës, Blerina Beqiri, e cila do të hetohet nën masën “arrest në shtëpi”.

Në fundjavë, në qytetin e Elbasanit u kryen kontrolle edhe në banesat e dy ish-gjyqtarëve Zihni Shahut dhe Taulant Tafës dhe dy ish-prokurorëve.

Prokuroria e Posaçme thotë në njoftimin e zyrtar se operacioni për arrestimet po mbështetet nga Europol dhe agjensitë e tjera europiane ndërsa do të ketë një tjetër njoftim në ditët në vijim.

Klan News