Prokuroria e Posaçme ka zbardhur tipologjinë e kultivimit të kanabisit në serat që u zbuluan në Nëntor të vitit 2022 në Berat. Sipas SPAK, organizimi i kultivimit të drogës ka nisur në Dhjetor të vitit 2021 dhe është shtrirë gjatë periudhës Qershor-Nëntor të vitit 2022. Nga ky aktivitet rezulton të jenë përftuar në total rreth 1.8 ton kanabis.

SPAK ka evidentuar se organizimi, drejtimi dhe financimi i serave bëhej nga Blerim Xheka dhe Sadetin Hasaj. Si mbikëqyrës të punës, sipas SPAK, ishin Sidrit Bisha, Endriol Xheka, Jurgen Ujkaj, Suad Smakaj, Samoel Lushaj dhe Mirvaldo Disha. Për të mbrojtur kultivimin e kanabisit ata mbanin armë pa leje. Sipas akuzës kishin instaluar linja elektrike dhe furnizim me ujë, përmes një pompe thithëse që furnizohej nga një kanal vaditës përballë serave.

Tokat ishin marrë me qira nga Hamdi Dyli dhe Arben Vrapi dhe familjarë të tyre përmes kontratave. 17 të pandehur që akuzohen nga SPAK, mësohet se kishin ngritur infrastrukturën duke marrë me qira edhe banesa afër serave, për të qenë më afër aktivitetit ditor.

Këto banesa do të shërbenin edhe për shitjen e kanabisit pasi të përfundonte prodhimi. Dy gratë që janë në hetim sipas SPAK, merreshin me rekrutimin e fuqisë punëtore nga qytete e rrethina të Shqipërisë.

Krahun e punës e joshnin me pagesa të mira ditore për të punuar në sera, transport falas dhe sigurimin e fjetjes pranë serave, ku kishin krijuar ambiente të posaçme.

Hetimet nxjerrin përfshirjen edhe të personave të tjerë, të cilët ende nuk janë zbuluar saktësisht. Për këtë çështje SPAK ka kthyer dosjen në prokurorinë e Beratit për 93 gra, të cilat punonin në 4 serat, në zonën e Rërës, Drenovicë, në një hapësirë toke nga 10 deri në 27 dynym. Në këtë sipërfaqe policia gjeti 769 arka plastike, dhe 11 thasë brenda të cilave u gjetën dhe armë zjarri.

Klan News