Ish-Presidenti Ilir Meta dha shpjegime para hetuesve këtë të martë për çështjen e lobimit të Lëvizjes Socialiste për Integrim në SHBA, për të cilën dyshohet nga SPAK se është përfshirë në mosdeklarim të pasurisë dhe pastrim parash.

Për herë të parë që pas arrestimit në 21 Tetor, Meta u pyet si person nën hetim nga prokurori Sotir Kllapi dhe një oficer. Për mediat Genc Gjokutaj, avokati i Metës tha se ky i fundit ishte treguar sqarues me përgjigjet e tij.

“Sot është pyetur vetëm sa i përket lobimit në Amerikë. Zoti Meta ka qenë bashkëpunues dhe tepër sqarues në lidhje me çështjen me aq sa kishte dijeni dhe mbante mend. Për detaje të tjera do të japi shpjegime më të detajuara. Sot proceverbali u firmos dhe seanca u realizua”, tha avokati Gjokutaj.

Genc Gjokutaj tha se marrja në pyetje kishte nisur me një kërkesë të ish-Presidentit.

“Nisi marrja në pyetje me një kërkesë se çfarë ishte bërë me kallëzimin e tij për rrëmbimin që iu bë”, u shpreh Gjokutaj.

Ilir Meta, kreu i Partisë së Lirisë është vënë nën hetim nga SPAK për dyshimet e pastrimit të parave, korrupsionit dhe mosdeklarimit të pasurisë në një procedim ku u bashkuan 3 hetime.

Për të njëjtën dosje, të hënën në pyetje u morën edhe deputetja Monika Kryemadhi dhe nëna e saj, Fatime Kryemadhi.

Tv Klan