Më 21 Shkurt në orën 10:30 në Gjykatën e Tiranës do të mbahet seanca gjyqësore me objekt “zgjidhjen e martesës” mes ish-Presidentit Ilir Meta dhe deputetes Monika Kryemadhi.
Meta dhe Kryemadhi vendosën të divorcohen pas më shumë se 25 viteve martesë. Lajmin e konfirmoi vetë ish-Presidenti (tanimë në qeli) në Qershor të vitit të shkuar.
Në mbledhjen e kryesisë së Partisë së Lirisë, ai shpjegoi dhe arsyet që e çuan në dyert e gjykatës për zgjidhjen e martesës.
“Marrëdhëniet tona kanë pësuar një krisje të fortë që nga vendimi i saj si kryetare e LSI, për djegien e mandateve që u morën dhe sakrifica dhe gjak në një betejë të hapur me koalicionin e madh anti-LSI dhe anti-Meta të 17 Majit, të Prindit 1 dhe Prindit 2. Qëndrimet e vazhdueshme sistematike të saj, krejtësisht në krah të kundërt, të kauzave që unë mbroj, dhe që krijojnë konfuzion dhe paqartësi në publikun e gjerë, duhet të merrnin fund”.
Meta mohoi që shkak i ndarjes mes tyre të jetë një grua tjetër, por tha se vendimin e mori për t’i shërbyer një kauze që tejkalon interesin personal.
Ndërkohë, pas arrestimit të Metës, deputetja Kryemadhi ndau ndjesitë e saj edhe u shpreh se ata nuk kanë pasur asnjë komunikim në 7 muajt e fundit.
“Të jem e sinqertë çdo gjë e kam menduar, por divorcin nuk e kisha menduar ndonjëherë. Mund të kisha krim pasioni me Ilir Metën, por divorcin nuk e kam menduar kurrë. Unë e kam dashur dhe e dua Ilir Metën, s’ka rëndësi se çfarë bën Ilir Meta. Ai është babai i fëmijëve të mi, është njeriu që më ka bërë kjo që jam. Për të qenë vetvetja, më ka lënë gjithmonë të lirë, e drejtpërdrejtë… Edhe impulsive, edhe pse me kosto. Por kur një gjë mbaron, mbaron! Nuk e mban dot me zor!”
Prej kohësh çifti Meta-Kryemadhi nuk jetonin në një strehë të përbashkët, pavarësisht daljeve të përbashkëta publike./tvklan.al