Vala e të nxehtit që përfshiu Evropën ka arritur kulmin, ndërsa në jug të kontinentit janë shënuar temperatura jashtëzakonisht të larta. Në disa pjesë të Spanjës termometri ka kaluar 43 gradë për shkak të të nxehtit dhe ajrit të thatë që vjen nga Afrika e Veriut.
Ministria spanjolle e Shëndetësisë përmes një deklarate u kërkoi qytetarëve të saj që të shmangin qëndrimin në diell dhe të evitojnë daljet e panevojshme gjatë ditës. Sipas Autoritetit të Shërbimit Meterorologjik temperatura ekstreme që kaloi 45 gradë është shënuar në Ecija, qytet në jug të Spanjës, 85 km në lindje të kryeqytetit Andaluzian të Seviljes.
E njëjta situtatë është edhe në fqinjin tonë jugor, Greqinë, ku edhe aty termometri ka kaluar 43 gradë.
Sipas sinoptikanëve, deri të hënën temperaturat do jenë të larta, duke u luhatur me tre gradë poshtë vlerave të këtyre ditëve. Vetëm pas datës 23 korrik pritet një rënie graduale të tyre që do të variojnë nga 40 në 37 gradë.
Autoritet greke kanë apeluar qytetarët e zonës kontinentale, kryesisht atyre të Selanikut dhe ishujve të Egjeut që janë edhe më të frekuentuarit si Santorini, Mikonos, Siros, Naksos, Paros apo Rodos që të shmangin daljet e panevojshme në diell gjatë ditës.
Ndryshe nga Greqia e cila është duke u përvëluar nga i nxehti afrikan, në Itali temperaturat ekstreme po pësojnë ulje me 10-12 gradë dhe sipas sinoptikanëve orët në vijim priten edhe stuhi breshëri.
Ferrara dhe zona e Toskanës sipas autoriteteve vendase janë në epiqendër të stuhisë, e cila vjen nga ishujt britanikë që u goditën nga një ciklon.
Tv Klan