Në një veprim të bashkërenduar, Norvegjia, Spanja dhe Irlanda njoftuan sot se do të njohin Palestinën si shtet, një hap historik, por kryesisht simbolik që thellon izolimin e Izraelit për shkak të luftës kundër Hamasit në Gazë. Izraeli e dënoi menjëherë vendimin e të tre vendeve dhe tërhoqi ambasadorët e saj nga këto shtete, ndërkohë që palestinezët e mirëpritën këtë hap si një afirmim të aspiratave të tyre shumë dekadëshe. Shtëpia e Bardhë tha se Presidenti Biden beson që një shtet palestinez duhet të krijohet përmes negociatave dhe jo përmes vendimeve të njëanshme.
Spanja, Norvegjia dhe Irlanda iu bashkuan rreth 140 shteteve që e kanë njohur shtetin palestinez. Por vendimi i tyre i koordinuar për njohjen e shtetit të Palestinës mund të krijojë një moment të ri meqë ndodh në një kohë kur Izraeli po kritikohet edhe nga aleatët më të afërt të tij për mëpnyrën si po e zhvillon luftën në Gazë.
“Sot, ne, Irlanda, Norvegjia dhe Spanja, shpallim se e njohim shtetin e Palestinës. Secili nga ne do të hedhë hapat përkatës që ky vendim të hyjë në fuqi. Në përgatitje të këtij njoftimi të sotëm, kam biseduar me një numër udhëheqësish tjerë dhe jam i bindur që edhe shtetet tjera do të na bashkohen gjatë javëve në vijim. Kjo është një ditë historike dhe e rëndësishme për Irlandën dhe për Palestinën,” deklaroi Kryeministri i Irlandës, Simon Harris.
Kryeministri i Spanjës Pedro Sanchez njoftoi parlamentin se qeveria e tij do të njohë shtetin palestinez më 28 maj duke e quajtur atë një vendim që përputhet me vullnetin e shumicës së popullit spanjoll.
“Ka ardhur koha që të kalojmë nga fjalët në vepra, t’u themi miliona palestinezëve të pafajshëm e të përvuajtur se jemi me ta. Që ka shpresë. Dhe ta bëjmë të qartë se pavarësisht sa mure ngrihen, pavarësisht sa fshatra bombardohen dhe pavarësisht sa vendbanime të jashtëligjshme kolonësh ndërtohen, toka dhe identiteti i Palestinës do të vazhdojë të ekzistojë në zemra tona, në kontekstin ligjor ndërkombëtar dhe në projektin e ardhshëm të një Mesdheu në harmoni,” deklaroi ai para parlamentit.
Kryeministri i Norvegjisë Jonas Gahr Store tha se edhe shteti i tij do ta njohë Palestinën më 28 maj, gati 30 vjet pas nënshkrimit të marrëveshjes së parë për krijimin e dy shteteve në kryeqytetin norvegjez Oslo në vitin 1993.
“Qeveria ka vendosur që Norvegjia dëshiron ta njohë zyrtarisht Shtetin e Palestinës… Norvegjia do ta konsiderojë Palestinën si shtet të pavarur me të gjitha të drejtat dhe detyrimet që vijnë me të,” tha Kryeministri norvegjez Store.
Vendimi i tre shteteve për njohjen e shtetit palestinez u kundërshtua ashpër nga qeveria në Izrael.
Duke folur nga oborri i xhamisë Al-Aqsa në Jerusalem, vendin më të ndieshëm në Jeruzalem që myslimanët e konsiderojnë simbol të tyre kombëtar, Ministri për Sigurinë Kombëtare, Ben Gvir, që përfaqëson vijën e ashpër në koalicionin qeveritar të Izraelit, tha se Izraeli nuk do të lejojë njohjen e Palestinës shtet.
“Shtetet që njohin shtetin palestinez sot po shpërblejnë Hamasin, vrasësit dhe keqtrajtuesit dhe unë u them: Ne nuk do të lejojmë njohjen e një shteti palestinez,” tha ai.
Ministri i Jashtëm izraelit, që po qëndron në Francë, urdhëroi tërheqjen e ambasadorëve izraelitë nga të tre vendet. “Vendimet e tilla dëmtojnë sovranitetin dhe sigurinë e Izraelit dhe nuk do ta lejojmë këtë gjë,” deklaroi Ministri i Jashtëm i Izraelit, Israel Katz.
Por vendimi për njohjen e shtetësisë së Palestinës u mirëprit nga Autoriteti Palestinez që qeveris Bregun e okupuar Perëndimor.
“Është ditë historike, që vjen në orën më të errët të historisë tonë… Besojmë që ky është një mesazh i qartë i përkrahjes për të drejtën e palestinezëve për vetëvendosje, pavarësi dhe shtetësi, që është e panegociueshme, mesazh kundër apartheidit, kolonializmit dhe gjenocidit,” tha ndihmës-ministri palestinez, Ammar Hijazi. Vendimi për njohjen e shtetit të Palestinës nxiti reagim edhe në shtetet tjera.
Shtëpia e Bardhë tha se Presidenti Biden beson që shteti palestinez duhet të jetë rezultat i negociatave dhe jo njohjeve të njëanshme. Edhe Gjermania nënvizoi të mërkurën përkrahjen për një zgjidhje me dy shtete përmes një procesi dialogu dhe jo përmes njohjes së shtetit të Palestinës./VOA