Lajme Arkiva – TV Klan 2003
“Netët e klipit shqiptar”, spektakli i përjavshëm që ka zënë vend në ekranet e TV Klan, ndodhet në prag të fazës gjysmë finale. Pas 8 javësh, ku janë prezantuar mbi 60 krijime, operatorësh, montazhesh, këngëtarë, stilistë e modele, juria është mbledhur për të bërë seleksionimet për në natën gjysmë finale, e cila do të zhvillohet javën e ardhshme.
Nga 60 krijime, 36 janë në konkurrim deri në gjysmë finale, për të vazhduar me seleksionime të tjera. Ky është viti i dytë që netët e kripit shqiptarë mbledhin artistë nga të gjitha trojet shqiptare. Aktorja Rajmonda Bulku, një prej anëtarëve të jurisë, tregon risitë e këtij spektakli.
Rajmonda Bulku:- “Një ide e shkëlqyer për të qenë, që është hera e dytë dhe që do të vazhdojë çdo vit. Është shumë bukur, sepse është nxitje për t’u zhvilluar dhe kjo gjini e muzikës, që tek ne nuk ka qenë e njohur. Ka një cilësi shumë të mirë, dmth. çdo gjë vjen duke u zhvilluar , ashtu siç vjen duke u zhvilluar dhe përtej kufirit. Vazhdojnë të vijnë videoklipe shumë të mira nga Kosova, nga Maqedoni e Mali i Zi”.
Në 11 Maj, në Pallatin e Kongreseve, do të zhvillohet nata finale, në të cilën pritet të mbërrijnë 20 krijime. Në mbrëmjen e fundit pritet të jepen 4 çmime, për regjinë më të mirë, 4 për kamerën, katër për montazhin më të mirë, katër për interpretuesin dhe 4 për çmimin e madh. Mbrëmja e 11 Majit, do të mbledh në sallën e Pallatit të Kongreseve artistë nga e gjithë Shqipëria, por edhe të huaj të ftuar./tvklan.al
Gazetare – Holta Zhiti