Shpërngulje me dhunë e palestinezëve nga kampi i refugjatëve Jabalia në Gazën Veriore. Forcat izraelite rrethuan spitalet dhe vendstrehimet, ndërsa shtuan operacionet kundër militantëve palestinezë.

Ushtria pushtuese mblodhi burrat dhe urdhëroi gratë të largohen nga kampi historik i refugjatëve Jabalia. Më herët, një sulm ajror aty vrau të paktën pesë vetë dhe plagosi disa të tjerë.

Agjencia e OKB-së për refugjatët palestinezë UNRWA tha se autoritetet izraelite po pengojnë misionet humanitare që të arrijnë në zonat në veri të enklavës me furnizime bazë, përfshirë ilaçe dhe ushqime.

“Njerëzit që përpiqen të ikin po vriten, trupat e tyre lihen në rrugë,” tha kreu i UNRËA Philippe Lazzarini.

Mjekët në Spitalin Indonezian i thanë agjencisë Reuters se trupat izraelite sulmuan një shkollë dhe arrestuan burrat përpara se t’i vinin flakën. Zjarri arriti deri te gjeneratorët e spitalit dhe shkaktoi një ndërprerje të energjisë elektrike.

Zyrtarët shëndetësorë thanë se kishin refuzuar urdhrat e ushtrisë izraelite për të evakuuar tre spitalet në zonë ose për të lënë pacientët pa mbikëqyrje.

Zyrtarët palestinezë thanë se të paktën 18 vetë u vrarë në Jabalia dhe tetë në vende të tjera në Gaza nga sulmet izraelite. Ndërsa ushtria tha në një deklaratë se po vepron kundër “terroristëve dhe infrastrukturës së tyre” në zonën Jabalia.

Zyra e OKB-së për të Drejtat e Njeriut akuzoi forcat izraelite për ndërhyrje të paligjshme në ndihmën humanitare dhe lëshimin e urdhrave për shpërngulje të detyruar.

Hamasi akuzoi Izraelin për kryerjen e akteve të “gjenocidit dhe spastrimit etnik” me qëllim për t’i detyruar njerëzit të largohen nga Gaza Veriore. Krahu i armatosur i Hamasit tha se luftëtarët sulmuan forcat atje me raketa antitank dhe mortaja, dhe shpërthyen bomba kundër trupave brenda tankeve dhe të vendosura në shtëpi.

Klan News