Manastirliu: Rrisim gamën e analizave. Rehabilitim të godinës së sëmundjeve të brendshme

Spitali i Traumës është pajisur me laborator të ri duke ofruar kështu trefishimin e gamës së analizave. Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu pa nga afër këtë investim i cili po shtrihet në 18 spitale të vendit.

“Investimi i duhur, jo vetëm për spitalin e Traumës por për të gjithë spitalet universitare, rajonale dhe dy spitalet bashkiakë ku po aplikohet. Aktualisht nga 14 spitale tashmë kemi 10 spitale ku ka filluar funksionimin ky partneritet që me të vërtetë po sjell rezultate shumë pozitive në ecurinë e shërbimeve spitalore dhe brenda muajve të ardhshëm do të kemi shtrirje edhe në 4 spitalet e mbetura për të vijuar e përfunduar me ecurinë dhe rritjen e gamës së analizave”.

Manastirliu inspektoi edhe punimet që kanë nisur për rikonstruksionin e godinës tre katëshe të sëmundjeve të brendshme në Spitalin e Traumës.

“Ky investim që po bëhet tani jep akoma më shumë zgjerim për sa I përket shërbimeve të ndryshme që mund të ofrojmë përpos atyre të traumës, sëmundjet e brendshme sepse nga pikëpamja e organizimit spitalor na duhet të rrisim kapacitetet. Vetëm në Tiranë nga 5 spitalet që kemi, në 4 jemi duke investuar”.

Punimet për godinat spitalore janë shtrirë në të gjithë vendin, pjesë e të cilave janë edhe rehabilitimi I Spitalit Infektiv dhe materniteti “Mbretëresha Geraldinë”.

Klan News