Ministri i Financave: Ky vlerësim forcon pozitat e Shqipërisë, sjell përfitime për ekonominë e vendit

Për herë të parë, agjencia e vlerësimit të kreditit “Standard &Poors” ka përmirësuar vlerësimin afatgjatë të kreditit sovran të Shqipërisë në ‘BB-‘ nga ‘B+’.

Në raportin e fundit kjo agjenci thekson përmirësimin e pozicionit fiskal dhe pozicionit të jashtëm të vendit.

Ky vlerësim pozitiv vjen si një njohje e qëndrueshmërisë ekonomike të Shqipërisë dhe menaxhimit të matur të financave publike në përballje me një sërë sfidash të njëpasnjëshme.

 “Vlerësimi forcon pozitat e jashtme të Shqipërisë dhe sjell përfitime konkrete për ekonominë e vendit. Tani vendi do të perceptohet më pozitivisht nga investitorët e huaj për të investuar në Shqipëri dhe kjo pritet të përkthehet në investime të huaja më të larta, si edhe kushte më të lehtësuara për huamarrjen e Shqipërisë në tregjet ndërkombëtare. Ky përmirësim pritet po ashtu të reflektohet dhe në tregun vendas, në kosto më të ulëta të financimit për bankat, bizneset dhe individët. Ngjitja me një kategori vlerësimi nga Standard & Poor’s konfirmon situatën e mirë që po kalon ekonomia e vendit, qëndrueshmërinë e financave publike dhe pritshmërinë pozitive për reformat e ndërmarra.”

Agjencia thekson se Shqipëria ka treguar në vijimësi aftësinë e saj për të përballuar goditjet, përfshirë tërmetin e vitit 2019, pandeminë e Covid-19 dhe efektet e tërthorta makroekonomike të luftës Rusi-Ukrainë.

Sipas këtij raporti Shqipëria pavarësisisht këtyre sfidave, ka një rritje ekonomike me një mesatare mbresëlënëse prej 5.8% në vit gjatë tre viteve të fundit, duke përmirësuar njëkohësisht parametrat e financave publike.

“Treguesit makroekonomikë janë përmirësuar ndjeshëm, papunësia është në nivelet më të ulëta historike, inflacioni është rikthyer në objektiv përpara pritshmërive, pozicioni i jashtëm është përmirësuar falë performancës shumë të mirë të sektorit të turizmit, investimet e huaja direkte kanë arritur nivelet më të larta historike, ndërsa borxhi publik zbriti në 59.2% në fund të vitit 2023.”

Përveç pozitës së përmirësuar fiskale, Standard&Poor’s vlerëson se Shqipëria ka forcuar gjithashtu bilancin e saj të jashtëm. Kjo i atribuohet akumulimit të aseteve publike, kryesisht rezervave valutore dhe të ardhurave në rritje të shërbimeve nga sektori në zhvillim i turizmit.

S&P pret që autoritetet të mbeten të matura nga ana fiskale, duke mbajtur borxhin publik në një trajektore të qëndrueshme dhe gradualisht rënëse.

Klan News