Mbi 50 milionë britanikë me të drejtë vote i janë drejtuar kutive të votimit për zgjedhjet parlamentare që pritet të sjellë në pushtet Partinë Laburiste të Keir Starmer, duke larguar konservatorët e kryeministrit Rishi Sunak pas 14 vitesh.
Sondazhet tregojnë partinë e qendrës së majtë të Starmerit në rrugën drejt një fitoreje dërrmuese, por gjithashtu sugjerojnë se shumë votues thjesht duan ndryshim pas një periudhe kaosi dhe trazira nën qeverisjen e Sunak. Ndërkaq edhe tabloidi “The Sun” që prej vitesh ka mbështetur konservatorët, këtë herë u hap me titullin “Është koha për ndryshim”.
“Sot, Britania mund të fillojë një kapitull të ri. Ne nuk mund të përballojmë pesë vjet të tjera nën qeverisjen e konservatorëve. Ndryshimi do të ndodhë vetëm nëse votoni laburistët,” u shpreh Starmer pasi hodhi votën e tij.
Sunak, votoi herët me gruan e tij, Akshata Murty, në zonën elektorale të Richmond në Anglinë veriore që ai përfaqëson në parlament. Pasi i ka thirrur zgjedhjet muaj më herët se sa pritej, Sunak javët e fundit ka braktisur thirrjen e tij për një fitore të pestë radhazi të Konservatorëve, duke kaluar në vend të kësaj në paralajmërimin për rreziqet nëse Partia Laburiste vjen në pushtet e cila mund të rrisë taksat, do të pengonte rimëkëmbjen ekonomike dhe do ta linte Britaninë më të prekshme në një kohë tensioni gjeopolitik.

Nga përllogaritjet paraprake laburistët pritet të marrin deri 425 vende në parlamentin e ri, një shumicë e konsoliduar me 99 deputetë mbi numrin e nevojshëm për formimin e qeverisë së re. Ndërsa konservatorët nuk pritet të marrin më shumë se 108 vende që do të përbënte një rënie drastike me 3 herë më pak nga ç’kanë aktualisht.
Për analistët, qeverisja gjithnjë e më e dobët e konservatorëve shihet si shkak për këtë rënie të ndjeshme të popullaritetit. Dështimi në këto kuota i adresohet kryeministrit aktual Rishi Sunak, i cili gjatë qeverisjes së tij u përball me rritjen drastike të kostove të jetesës, nxitur edhe nga pasojat e luftës në Ukrainë si dhe nga thellimi i krizës në sistemin e shëndetësisë. Votimi përfundon në orën 22:00 kur një exit poll do të japë treguesin e parë të rezultatit.
Klan News