Festa e krishtlindjeve, sfilata e ministrave dhe politikanëve.
Sot është festa e Krishtlindjeve dhe sic e kanë bërë traditë, zyrtarë e politikanë të lartë nuk e kanë lënë “t’u ikë nga dora” mundësinë për t’u shfaqur në ekranet e tv-ve. Presidenti Meta ishte në kishë, ngaku uroi besimtarët për krishlindje të begata. Ministrja e shëndetësisë Ogerta Manastirliu ishte mes fëmijëve të sëmurë, ndërsa ministrja e drejtësisë Etilda Gjonaj organizoi një festë në burgun e grave në Tiranë.
Laprakë, rrahin e bëjnë për spital pronarin e parkimit, agresorët lihen të lirë.
Pronari i një parkimi privat, Setki Shini denoncoi në emisionin investigativ “Stop” se në mes të këtij muaji është dhunuar fizikisht nga vëllezërit Xhevahir dhe Arbër Meshi, çka e provojnë me një video të regjistruar nga kamera e sigurisë së subjektit. Setkiu dhe e shoqja Pranvera rrëfyen se konflikti me vëllezërit Meshi vijon që prej vitit 2007, kur kanë hapur subjektin e licencuar.
“Ata dalin provokojnë burrin, e shajnë në të gjitha llojet e mënyrave, e kërcënojnë vazhdimisht që bëhen dhe në grup. Ka mbi 10 raste. Në të gjitha rastet kemi shkuar në polici dhe kemi bërë kallëzime”, u shpreh Pranvera.
Ajo tregoi se i kanë falur gjithmonë, për shkak të ndjesës së kërkuar, por këtë herë nuk do të tërhiqen nga denoncimi në polici, pasi Setkiu ka përfunduar në spital me hematoma e brinjë të thyer.
“Nuk i fal dot më se kanë arritur në atë fazë sa të ma kanë bëjnë burrin gjysmë njeriu. Ku mund të toleroj më shumë se kaq?”, tha e shqetësuar denoncuesja.
Vetë i dhunuari rrëfeu se në datën 11 Dhjetor, ora 17:40, iu afrua Xhevahir Meshi me pretendime të kota dhe më pas u afrua dhe i vëllai, Arbri dhe debati degradoi në përleshje fizike.
“Nuk ka patur asnjë ofendim, nga unë jo një herë. Pas debatit që bëmë, ata filluan të më godisnin fizikisht me grushta dhe tullë te balli, hunda dhe të dyja buzët i kam patur të çara”, tregoi Setkiu.
Menjeherë pas përplasjes bashkëshortja e tij telefonoi policinë, por Arbri Meshi e qëlloi sërish me tullë, duke e lënë të pavetëdijshëm në mes të rrugës. Nga trauma e shkaktuar Pranvera nuk mundi as t’i jepte ndihmën e parë bashkëshortit të saj. Fatmirësisht u gjend një kalimtare që ndërhyri dhe ndihmoi Setkiun.
Më pas shkuan në polici për t’i denoncuar për dhunën e përsëritur, ku komunikuan me oficerin e policisë gjyqësore, Fatjon Moni, i cili i siguroi se vëllezërit Meshi do të arrestoheshin. Por për habinë e bashkëshortëve Xhevahir dhe Arbër Meshi u ndaluan vetëm një natë dhe të nesërmen u lanë të lirë.
Sipas burimeve të sigurta të Pranverës, Besim Basha, një i afërmi i vëllezërve, si dhe ekspert i policisë bëri të mundur lirimin e tyre.
Setki Nishi rrëfeu se ka qenë i shtruar për katër ditë në Spitalin Ushtarak dhe se ende nuk është në gjendje të mirë shëndetësore. Ndaj kërkon të merret masë ligjore ndaj agresorëve nga Policia e Shtetit, prokuroria dhe gjykata, në mënyrë që të jetojnë të qetë.
“Unë çuditem me Policinë e Shtetit çfarë ka bërë. Pse nuk i izolon këta persona? Ata janë përveçse me burrin tim, që është e dhjeta herë që kemi patur këto përplasje fizike, por janë edhe me precedentë. E di shumë mirë policia, pa përmendur asnjë lloj detaji tjetër. Nuk e kuptoj? Kjo është policia që duam ne?”, u shpreh bashkëshortja e të dhunuarit.
I pyetur për rastin nga gazetarja e emisionit “Stop”, Fatjon Moni u shpreh se agresorët janë proceduar për “plagosje të lehtë në bashkëpunim” dhe materialet i kanë kaluar prokurorisë së rrethit.
Oficeri Fatjon Moni-Si kaluat? Mirë?
Gazetarja-Juve jeni OPGJ-ja e çështjes së dhunës më datë 11 Dhjetor, ora 17:40, ku shtetasi Setki Shini është gjuajtur me grushta nga Arbër dhe Xhevahir Meshi.
Oficeri Fatjon Moni-Po, po!
Gazetarja-Interesohemi se çfarë ëshët bërë me këtë çështje. Juve si OPGJ si keni vepruar? Sepse kam informacion që dy vëllezërit janë thërritur nga komisariati numër 2 dhe pastaj janë liruar.
Oficeri Fatjon Moni-Po! Janë proceduar për “plagosje të lehtë në bashkëpunim”.
Gazetarja-Plagosje e lehtë quhet dhuna që është ushtruar ndaj personit?
Oficeri Fatjon Moni-O zonjë, po deshe informacion, shko tek Prokuroria. S’të jap informacion në telefon!
Gazetarja-Zotëri, është e disata herë. Juve si komisariat i policisë kur do të merrni masa? Kur personi të humbë jetën?
Por OPGJ preferoi të ndërpresë telefonatën dhe të mos kthejë më asnjë përgjigje. Në këto kushte agresorët mund ta dhunojnë sërish denoncuesin, i cili tanimë nuk ka më asnjë siguri për jetën e tij.
Dy kontrata uji për një shtëpi, Stop zgjidh problemin me UKT-në.
Dy familje u ankuan pranë emisionit investigativ “Stop” për problemet që kanë me Ujësjellës Kanalizime Tiranë, e cila u ka hapur kontrata fiktive. Prej 3 vjetësh UKT i ka hapur kontratë djalit të Ismet Kazanit dhe e faturon, edhe pse ky i fundit nuk jeton në Shqipëri.
“UKT që ka qenë komuna Dajt më ka hapur një kontratë në emër të djalit tim, pa kërkesën e tij. Unë jam qytetar i rregullt, por djali nuk banon këtu, që nga viti 1993 është emigrant”, tregoi Ismet Kazani.
Ai u shpreh se një kontratë uji hapet me kërkesën e qytetarit, duke paraqitur dokumentacionin përkatës, çka nuk e kanë bërë. Prej 3 vitesh sorrollaten nëpër zyra, por debia vijon të rritet, duke kapur momentalisht vlerën prej 45,000 lekësh.
“Janë faturuar 343 metër kubë ujë, pa patur ujë në banesë dhe pa marrë ujë nga shteti, që nëse e vjedh një qytetar, duhet të vijë dhe t’i presë ujin”, shtoi denoncuesi. Ai kërkoi zgjidhje nga emisioni “Stop”, në mënyrë që të mos i drejtohen dyerve të gjykatës.
Të njëjtin problem ka edhe Nafie Kurti, të cilës i kanë hapur dy kontrata, për vete dhe për djalin.
“Djali është me mua, unë jam kryefamiljare. Kush e ka hapur kontratën? Dua veçse të hiqet kontrata. Ato më thonë që duhen paguar se janë hedhur në sistem, por pse të paguaj unë 400 ose 500 mijë lekë?”, tha zonja Nafie.
Gazetarja e emisionit “Stop” iu drejtuan Ujësjellës Kanalizime Tiranë, ku i thanë se kontratat janë hapur nga ish-komuna Dajt.
Punonjësi i UKT: Kjo është kontratë e hapur, që nga ish komuna ëëë…
Gazetarja: Po si i ka hapur komuna?
Punonjësi i UKT: Ky është problemi i komunës. Ne thjeshtë na kanë sjellë emrat. Shoh që ky është afrofe, nuk ka pasur kurrë matës. Që nga Marsi i 2016-ës, domethënë, që është hapur si kontratë. Kurse që nga Qershori i 2018-ës, ka kaluar vetëm me taksë e deri më sot.
Gazetarja: Debia sa është?
Punonjësi i UKT: Rreth 460 mijë lekë.
Gazetarja: Si mund të paguajë për diçka që s’e ka kërkuar kurrë këtë shërbim, ose më saktë, më jepni një kërkesë të abonentit, që ka kërkuar shërbim të pajiset me ujë nga Ujësjellës Kanalizimet?
Punonjësi i UKT: Po, po në rregull! Të kuptoj shumë mirë unë, qëndron problemi, siç ta thashë më parë, janë kontrata të hapura që nga ish komuna, që na kanë kaluar neve.
Ndërsa Njësia Administrative Dajt ia kalon përgjegjësinë UKT-së, duke mos pranuar që kanë qenë ata që ia kanë hapur kontratat qytetarëve.
Gazetarja: Doja të dija nëse ka një kërkesë nga këto abonentë, që deklarojnë që janë hapur kontrata fiktive, se kush mund të më ofrojë mua shërbimin e ujit në këtë rast, nëse unë nuk e kërkoj? E kupton? Si janë hapur?
Punonjësi i Njësisë Administrative Dajt: Ça kontratash..? S’di unë, s’di ça të them. Nga komuna Dajt nuk janë hapur kontrata banorët. I ka hapur Ujësjellësi.
Gazetarja: Unë sa erdha nga Ujësjellësi dhe këtë gjë më deklaruan.
Punonjësi i Njësisë Administrative Dajt: Vetëm ujësjellësi, nuk di gjë. Ça të themi, ça të themi? Nuk e di!
Në zyrat qendrore të UKT-së u tha se arritën ta zgjidhin problemin e zonjës Kurti, duke e lënë me një kontratë, por për Ismet Kazanin nuk ka zgjidhje.