Prindërit e 3-vjeçarit Noah, i cili humbi jetën në një kopsht privat në Fier treguan në emision “Stop” këtë të martë dyshimet për vdekjen e fëmijës së tyre. Përveç versioneve të edukatores së 3-vjeçarit, emisioni investigativ publikoi edhe dëshminë e mjekut të Fierit që tha se djali ka shkuar i vdekur në spital. Sipas tij, ai kishte shenja në qafë dhe ballë.

Por më pas kamera e “Stop” tregoi edhe ambientet e përshtatura të këtij kopshti privat nga një vilë 3 katëshe. Pjesa e shkallëve nuk është shumë mirë e mbrojtur, ndërsa pjerrësia e shkallëve përbën rrezik për fëmijët.

“Nga pamjet që kam parë fillimisht dua të evidentoj një fakt që shkallët, ambientet, hyrja, boshllëqe e mundshme nëpër kthinat e zbritjes së shkallëve apo muret e caktuara, elementë të tjerë që mund të jenë të rrezikshme për fëmijët dhe për këto duhet patjetër që të mendohet për protokolle të reja të sigurisë së tyre. Nuk mundet që të jenë të rastësishme dhe të lihen në dorë të edukatorit, i cili në një rast të caktuar s’mund ta ketë vëmendjen për t’i ruajtur fëmijët të gjithë menjëherë”, tha Karamuça.

Nga ana tjetër ambientet e kopshtit duhet të jenë të gjithë të monitoruar me kamera.

Prindërit thonë se edukatoret i kanë thënë që brenda kopshtit ka kamera dhe se ata mund t’i hapnin kur të donin nëse kishin dyshime.

Por “Stop” ka zbuluar se korridori ku pretendohet të ketë ndodhur tragjedia nuk është me kamera. As dhomat e gjumit dhe kuzhina nuk janë të survejuara me kamera.

Mamaja e Noas: Atë ditë, që më ke ardhur në shtëpi, më ke vënë dorën këtu dhe ke thënë: Unë jam me ju!

Pronari i kopshtit: Patjetër!

Mamaja e Noas: Më ke thënë kështu dhe më ke thënë, që kamera ka dhe do ta gjejmë të vërtetën?

Pronari i kopshtit: Po! Po!

Mamaja e Noas: Erdhëm atje dhe më ke thënë ka 6 kamera. Ti i kishe numëruar kamerat ditën tjetër dhe nuk më the, që shiko moj motër xhani, atje janë 6 kamera.

Pronari i kopshtit: Po ku folëm për numra kamerash ne?! Unë thashë e kam me kamera. Unë nuk thashë, që tek kjo këtu kam dhe tek kjo këtu s’kam.

Mamaja e Noas: Dhe unë të pyeta: tek vendi i ngjarjes, ka kamera? Është pyetur zotëria dhe më ke thënë, çdo cep, që fëmija lëviz, ka kamera…

Pronari i kopshtit: Po ka kamera, që janë një këtu, një këtu, një këtu dhe një këtu./tvklan.al