Përmasat e njerëzve janë rritur gjatë shekullit të kaluar falë shëndetit të mirë dhe ushqyerjes, por ky ndryshim nuk ka ndikuar njësoj te burrat dhe gratë.

Një studim i publikuar në Biology Letters ka treguar burrat janë bërë më të gjatë e të rëndë dyfish më shumë se gratë.

Shkencëtarët nga Italia, SHBA dhe Mbretëria e Bashkuar analizuan të dhënat e marra në vitin 2003 nga Organizata Botërore e Shëndetësisë për gjatësinë dhe peshëm e mbi 100 mijë njerëzve nga 69 shtete. Autorët e studimit përdorën edhe të dhëna nga Indeksi i Zhvillimit Njerëzor (HDI) që mat nivelet  kombëtare të mirëqenies humane.

Çdo rritje me 0.2 në të përkonte me një rritje prej 1.68 centimetrash gjatësi te gratë dhe 4.03 te burrat. Pesha rritej me 2.70 kilogramë te gratë dhe 6.48 te meshkujt.

Trendi konfirmohet edhe nga të dhënat e Indeksit Gini të Bankës Botërore që mat nivelet kombëtare të pabarazisë së të ardhurave në 58 vende nga vitet 2000 deri në 2006.

Pabarazia më e lartë e të ardhurave lidhej me uljen e peshës dhe gjatësisë. Rritja e çdo njësie në Gini lidhej me uljen mesatare të gjatësisë me 0.14 centimetra te gratë dhe 0.31 centimetra te burrat ndërsa  pesha përkatësisht me 0.13 dhe 0.39 kilogramë.

Edhe pse mund të mendohet që vendet më të zhvilluara mund të kenë popullsi me individë më të gjatë, ky s’është rasti. Duke parë të dhënat vetëm nga Mbretëria e Bashkuar përmes studimeve të periudhës 1905-1958, gjatësia e 49.180 grave e burrave të moshave 23-26 vjeç rritej me 0.25 centimetra çdo 5 vjet te gratë dhe 0.69 centimetra te burrat.

Ky ndryshim vjen për shkak të përzgjedhjes seksuale. Në të shkuarën, burrat më trupmëdhenj ishin më të fortë duke i bërë që të preferoheshin më shumë nga gratë dhe të trashëgonin gjenet.

Edhe sot, shumë gra kanë tendencën të pëlqejnë meshkujt e gjatë, ndërsa gjatësia e grave s’është aq e rëndësishme. Thënë thjesht, burrat nuk kanë tendencën të thonë “më pëlqejnë vetëm vajzat e gjata”.

Ndryshimi i gjatësisë mes individëve të së njëjtit seks ishte më i ulët në vendet me kushte më të mira jetese.

Burrat kanë nevojë për më shumë energji dhe muskuj, si dhe janë më aktivë nga ana metabolike. Ata janë më të ndjeshëm ndaj faktorëve të jashtëm, sëmundjeve dhe kur mjedisi  përreth mbart stres, gjatësia e tyre ndikohet më shumë sesa e grave.

Për shkak se gjatësia e burrave është më e ndjeshme ndaj kushteve të jetesës sesa e grave, përfundimi është se ajo dhe ndryshimet në gjatësi midis gjinive “mund të jenë tregues biologjikë të dobishëm për të gjurmuar ndryshimet e popullsisë në shëndet”.

Studimi tregon se çdo tipar që është më i theksuar në një seks krahasuar me tjetrin mund të ndikohet nga një mjedis më sfidues./tvklan.al