Organizata kriminale e drejtuar nga Suel Çela kishte ngritur dyshime në shkurt të vitit 2021, se aplikacioni i enkriptuar SKY ECC mund të jetë përgjuar nga ana e agjencive ligjzbatuese. Dyshimet kishin lindur pas zbulimit dhe sekuestrimit të një sasia prej 446 kilogramë kokainë nga policia holandeze në magazinat e firmës, pasi kishte dalë nga porti i Roterdamit. Lënda narkotike ishte nisur nga Ekuadori, kishte kaluar tranzitin në Belgjikë, por nuk ishte zbuluar.
Gjatë komunikimeve mes Suel Çelës dhe Ergys Dashit, i cili kishte rolin e sigurimit të drogës në Ekuador, Çela shprehet se këta telefona nuk janë të sigurt. Sipas asaj që zbulohet në dosje, ai dyshon se në rastin e tyre policia mund të ketë përgjuar komunikimet, por sërish ai thekson se gjithçka do të zbulohej kur të arrestuarit të dilnin para gjykatës holandeze.

Gjatë hetimeve që SPAK ka kryer për grupin e Sules Çelës është zbuluar dhe roli i Ergys Dashit, i cili u ekzekutua më 22 janar të vitit 2022, në Guaiakil brenda një lokali. Pas zbërthimit të SKY ECC rezulton që Dashi të ketë qenë pika e kontaktit mes grupeve kriminale shqiptare dhe atyre të vendit të origjinës, nga të cilët bëhej blerja e drogës. Dashi në një moment i rrëfen Suel Çelës se dyshon te komunikimet që ka zhvilluar pasi të gjitha ngarkesat janë duke u zbuluar ose në nisje ose në portet kryesore të BE-së kur mbërrinte droga.
Një tjetër detaj që zbulohet nga dosja e grupit të Suel Çelës, është edhe emri i një aplikacioni tjetër të enkriptuar, No1BC. Këtë aplikacion Ergys Dashi e ka përdorur për të komunikuar me shoferin e kamionit që ishte duke transportuar kutitë me banane, në të cilat ndodhej edhe lënda narkotike.
Pas bllokimit të lëndës narkotike nga agjencitë ligjzbatuese holandeze, Ergys Dashi shfaqet shumë i shqetësuar, se kanë humbur shumë para. Ai shprehet me siguri në këtë moment se diçka nuk shkon duke ngritur dyshime të forta telefonat janë përgjuar. Këto dyshime Dashit i lindin pasi autoritetet doganore kanë shkuar për kontroll në ambientet e firmës, e cila kishte bërë porosinë e bananeve.
Klan News