SPAK ka dërguar për gjykim dosjen “Toyota Auris” duke marrë të pandehur ish-kryeprokurorin e Vlorës, Aurel Zarka, ish-oficeren e policisë gjyqësore pranë ish-prokurorisë për Krime të Rënda, Erjona Daupaj, avokatin Radovan Çela dhe Astrit Vladi. Sipas Prokurorisë së Posaçme 4 të pandehurit akuzohen për korrupsion, zbulim të të dhënave sekrete dhe trafik droge.

Nëpërmjet një njoftimi zyrtar SPAK deklaron se ka dokumentuar ndërhyrjen dhe ushtrimin e ndikimit të paligjshëm apo ryshfet në 8 çështje hetimore të regjistruara në Prokurorinë e Vlorës, Prokurorinë e Krimeve të Rënda dhe atë të Tiranës.

Hetimet që mbështeten në komunikimet e aplikacionit SKY ECC treguan se si zyrtarë të drejtësisë në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë ndërhyrë për zgjidhjen e disa çështjeve hetimore në favor të personave që ishin objekt hetimi.

Të pandehurit sipas SPAK kanë ndërhyrë dhe janë korruptuar në zbutjen e rrethanave për personat e arrestuar lidhur me sjelljen në Shqipëri të 3.4 milionë eurove në disa makina Toyota Auris në 2018.

Po ashtu akuzohen se kanë ndërhyrë edhe në mbylljen e një hetimi pasuror në SPAK në vitin 2020 për Suel Çelën, i cili aktualisht ndodhet në kërkim.

Një tjetër episod është dhe një hetim për vjedhje në prokurorinë e Tiranës dhe mbylljen e dy çështjeve të tjera në Prokurorinë e Vlorës, ku njëra prej tyre ishte për kultivim kanabisi.

Në njoftimin për mediat, SPAK bën të ditur se është duke vijuar hetimet edhe për njerëz të tjerë të drejtësisë që përmenden në komunikimet e SKY ECC, në një procedim penal të ndarë.

Klan News