Në një lidhje në Skype për programin “Historia ime”, në Tv Klan ishte aktorja dhe regjisorja Suela Bako.
Aktorët e teatrit “Aleksandër Moisiu” kanë marrë nismën për të qenë pranë publikut edhe në këto ditë izolimi.
Çdo ditë nga e hëna në të shtunë, në orën 20:00, aktorët janë online dhe lexojnë, por sipas Suela Bako është më shumë se një lexim, është një rrëfim dhe interpretim i një historie të shkruar në mënyrë mjeshtërore nga Çehov.
Mirela Milori: Një nismë shumë e mirë kjo për të qenë online me shikuesin, me spektatorin. Si lindi ideja?
Suela Bako: Në përgjithësi gjithë teatrot brenda vendit, por dhe aktorë të ndryshëm të pavarur, ose të lidhur me institucione të ndryshme kanë tentuar të fillojnë të ndihen gjallë virtualisht duke lexuar poezi, soneta, tregime apo monologë dhe kështu u ndjemë edhe neve si të thuash. Nuk mund ta përjashtojmë veten nga një auditor profesionistësh të teatrit. Kanë filluar iniciativa në teatro të ndryshme, ndërkohë që ne po përpunonim që prej fillimit të gjatë le të themi, kësaj shkëputjeje të gjatë nga skena, ku Ada po bluante idenë me çfarë mund të vijmë tek publiku. Me çfarë gjëje mund të ngjallim interes, ta plotësojmë në aspektin emocional, por pse jo edhe në informacion. Kam përshtypjen që ka qenë një zgjidhje shumë e mirë, e ofruar nga Driada Dervishi, që është dhe regjisorja e institucionit.
Mirela Milori: Në orën 7 çdo ditë ka një komunikim?
Suela Bako: Në orën 20:00 çdo ditë, nga e hëna në të shtunë, aktorët e teatrit “Aleksandër Moisiu” lexojnë, po është më shumë se sa një lexim më besoni, është një rrëfim, një interpretim i një historie të shkruar në mënyrë mjeshtërore nga Çehov./tvklan.al