Ekipet e shpëtimit po kërkojnë nën rrënoja pasi Ministria Libaneze e Shëndetësisë raportoi se 18 persona janë vrarë dhe dhjetëra janë plagosur në një sulm izraelit pranë një spitali në Bejrut. Sulmi izraelit goditi një zonë banimi përballë spitalit “Rafik Hariri” në jug të kryeqytetit libanez. Nga ana tjetër, Izraeli tha se sulmi ka goditur një strukturë të Hezbollahut dhe jo spitalin.

Kjo vjen pasi Sekretari Amerikan i Shtetit, Antony Blinken ka zbarkuar në Tel Aviv në një përpjekje për të rivendosur procesin e ngecur diplomatik për një armëpushim midis Izraelit dhe Hamasit dhe një marrëveshje për lirimin e pengjeve.

Ndërkohë, ushtria izraelite ka urdhëruar palestinezët në qytetin Beit Lahia, në veri të Gazës, që të evakuohen. Gaza veriore ka qenë nën bombardimet e vazhdueshme izraelite në javët e fundit. Të paktën 87 persona u vranë dhe më shumë se 40 u plagosën gjatë një sulmi ajror izraelit në Beit Lahia të shtunën.

Nga ana tjetër, OKB-ja ka lëshuar një paralajmërim për pasojat e vazhdimit të konfliktit. Në një raport të ri, Programi i OKB-së për Zhvillim thotë se varfëria në shtetin e Palestinës do të rritet në 74,3% në vitin 2024, duke prekur 4,1 milionë njerëz./tvklan.al