Shënjestra e radhës e ushtrisë izraelite në Gaza ishte një ndërtesë banimi shumëkatëshe në qytetin e  Beit Layias aty ku kanë ndërruar jetë të paktën 72 persona.

Në këtë ndërtesë strehoheshin anëtarë të të paktën gjashtë familjeve. Mbrojtja civile thotë se ekipet e saj nuk janë në gjendje të arrijnë në zonë dhe se shume persona jane të  bllokuar nën rrënoja.

Sulmet kanë vijuar edhe në Liban në qytetin Baalbek ku kanë humbur jetën të paktën gjashtë persona, përfshirë tre fëmijë dhe janë plagosur 11 të tjerë.

Avionët luftarakë izraelitë goditën sërish objektiva në Bejrut, duke përfshirë një zonë të banuar vetëm disa kilometra larg qendrës së qytetit.

Këmbanat e kishave ranë në një lagje të krishterë për të paralajmëruar sulmet, duke i bërë banorët të kërkonin strehim në kishat aty pranë. Libanit, ndryshe nga Izraeli, i mungojnë strehimoret gjatë sulmeve ajrore dhe një sistem zyrtar paralajmërimi.

Izraeli vazhdon ofensivën e tij tokësore dhe ajrore kundër Hezbollahut paralelisht me luftën në Gaza.

Kryeministri Benjamin Netanjahu   po përballet me presionin për të  kthyer në shtëpi të gjithë ata persona që mbahen peng nga Hamasi.

Së fundmi, sipas mediave izraelite protestuesit kanë bllokuar hyrjen në ndërtesën e zyrës së kryeministrit Netanyahu në Jerusalem.

Pamjet e shpërndara në rrjetet sociale tregojnë dhjetëra protestues të ulur në tokë, duke penguar hyrjen e ndërtesës.

Protestuesit po kërkojnë dorëheqjen e tij, zgjedhje të reja dhe një marrëveshje për shkëmbimin e  pengjeve zraelitë  me të burgosurit palestinezë.

Klan News