Numri i viktimave nga sulmet amerikane në Jemen është rritur në 53, duke përfshirë pesë fëmijë, ndërsa qindra të tjerë kanë mbetur të plagosur.

Në mesin e të vdekurëve nga sulmet janë edhe disa figura kryesore të lëvizjes Houthi, por grupi ende nuk e ka konfirmuar këtë. Shtetet e Bashkuara kanë bërë të ditur se do të vazhdojnë të sulmojnë derisa militantët e Houthi-t t’i japin fund sulmeve ndaj anijeve në Detin e Kuq.

Grupi militant nga ana tjetër ka deklaruar se luftimet mund të përshkallëzohen si përgjigje ndaj sulmeve vdekjeprurëse të SHBA. Një zyrtar amerikan për Reuters deklaroi se fushata mund të vazhdojë për javë të tëra.

Këshilltari i Sigurisë Kombëtare i SHBA-së, Michael Waltz, për ABC News është shprehur se “shënjestruan shumë liderë Houthi” dhe se kishin informuar Iranin se mjaft është mjaft”. Sekretari amerikan i Mbrojtjes Pete Hegseth u zotua për një fushatë raketore “të paepur” derisa të ndalojnë sulmet Houthi.

Në përgjigje, Hossein Salami, komandanti i lartë i Gardës Revolucionare të Iranit, tha se Houthis do të  merrnin vendimet e tyre. “Ne paralajmërojmë armiqtë tanë se Irani do të përgjigjet me vendosmëri nëse ata i zbatojnë kërcënimet e tyre”, tha ai për mediat shtetërore.

Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara Antonio Guterres bëri thirrje për “vetëpërmbajtje maksimale dhe një ndërprerje të të gjitha aktiviteteve ushtarake” në Jemen, ndërsa paralajmëroi se përshkallëzimi i ri mund të destabilizojnë më tej Jemenin dhe rajonin dhe të paraqesin rreziqe të rënda për situatën tashmë të rëndë humanitare në vend.

Që nga Nëntori i vitit 2023, Houthi-t kanë vënë në shënjestër dhjetëra anije tregtare me raketa, dronë në Detin e Kuq dhe Gjirin e Adenit. Ata kanë fundosur dy anije dhe kanë vrarë katër anëtarë të ekuipazhit.

Ndërkaq, sulmet hakmarrëse nga të dyja palët, kanë çuar në një rritje të çmimeve të naftës. Në bursën amerikane nafta u rrit me 56 cent, ose 0.8%, duke arritur në 67.74 Dollarë për fuçi, ndërsa në bursën e Londrës ajo pësoi po ashtu një rritje me 56 cent, ose 0.8%, duke arritur në 71.14.

Klan News