Shkon në 40 numri i personave që kanë humbur jetën si pasojë e motit të keq në SHBA. Shteti më i prekur është ai i Misurit aty ku të paktën 12 persona humbën jetën si pasojë e stuhive të forta.

Në Misuri, Guvernatori Mike Kehoe tha se shkalla e shkatërrimit në të gjithë shtetin është tronditëse.

“Qindra shtëpi, shkolla dhe biznese janë shkatërruar ose dëmtuar rëndë”, shtoi ai në deklaratë.

Në Teksas dhe Kansas stuhitë e pluhurit shkaktuan disa aksidente rrugore. Në këtë të fundit, të paktën tetë persona humbën jetën pasi më shumë se 55 automjete u përplasën me njëra-tjetrën.

Në disa pjesë të Teksasit, Luizianës, Alabama, Arkansas, Tenesi, Misisipi, Xhorxhia, Kentaki dhe Karolina e Veriut janë lëshuar paralajmërime nga përmbytjet.

Më shumë se 340,000 konsumatorë mbetën pa energji elektrike në zonat e prekura nga stuhitë.

Gjendja e jashtëzakonshme është shpallur në Arkansas, Xhorxhia dhe Oklahoma. Më shumë se 400 shtëpi u dëmtuan pasi zjarret përfshiu shtetin e Oklahomës.

Departamenti i Menaxhimit të Urgjencës konfirmoi katër viktima të shkaktuara nga zjarret ose erërat e forta.

Ndërkohë, Qendra e Parashikimit të Motit të Shërbimit Kombëtar të Motit bën të ditur se ka patur tridhjetë e nëntë tornado  që nga e premtja deri në mesditën e së dielës.

Klan News