Të paktën 30 persona, duke përfshirë fëmijë, janë vrarë pasi një sulm ajror izraelit goditi një shkollë që strehonte palestinezë të plagosur dhe të zhvendosur në Deir el-Balah, në qendër të Gazës.
Ministria e Shëndetësisë e Gazës bëri të ditur se mbi 100 persona mbetën të plagosur pas sulmit ajror që rezultoi në një masakër të vërtetë një nga zonat më të populluara me familje të zhvendosura.
Ushtria izraelite tha në një deklaratë se kishte shënjestruar një “qendër komandimi dhe kontrolli të Hamasit brenda kompleksit të shkollës Khadija në Gazën qendrore“. Sipas ushtrisë dyshohej se shkolla po përdorej për të nisur sulme kundër trupave ndërsa brenda saj kishte edhe një depo armësh.
Sipas përfaqësuesve të organizatës palestineze që qeveris Rripin e Gazës, shkolla ku u krye sulmi ndodhej në një tunel nëntokësor, për të garantuar sigurinë e nxënësve. Sulmi ndodh në një kohë kur palët janë më pranë se kurrë një armëpushimi të ri sipas një plani të mbështetur nga Shtetet e Bashkuara, me ndërmjetësimin e Katarit dhe Egjiptit.
Ndërkaq OKB ka bërë të ditur se qindra palestinezë mbeten të bllokuar në lindjen e Khan Younis mes luftimeve intensive dhe ekipet e shpëtimit nuk janë në gjendje t’i shpëtojnë ata për shkak të refuzimit të hyrjes nga ushtria izraelite.
Klan News