Të paktën 5 persona mbetën të vrarë dhe 22 të tjerë u plagosën gjatë një sulmi të armatosur në një kompani shtetërore të mbrojtjes së hapësirës ajrore, 40 kilometra në afërsi të Ankarasë.
Autorët zbriten nga një taksi, të cilën e kishin rrëmbyer pasi kishin vrarë shoferin, dhe shfrytëzuan momentin e ndërrimit të personelit të kompanisë për të hyrë brenda kompleksit industrial dhe për të kryer sulmin.
Ata bënë një shpërthim të fuqishëm eksplozivi para portës së kompanisë dhe më pas sulmuan ndërtesën me automatik. Nga përplasja me policinë, mbetën të vrarë edhe 2 prej autorëve, duke e çuar në 7 numrin total të viktimave të kësaj ngjarje që autoritetet turke e cilësuan terroriste.
Ministri i Brendshëm turk deklaroi se nisur nga mënyra sesi vepruan terroristët “ka shumë të ngjarë që sulmi” të ketë lidhje me Partinë e Punëtorëve të Kurdistanit.
Presidenti Rexhep Taip Erdogan, i cili ndodhej në një takim në Rusi me homologun e tij Vladimir Putin, tha se ky “ishte një sulm i neveritshëm” që kërcënoi mbijetesën dhe paqen e Turqisë, por premtoi se “duart e pista do të priten patjetër.”
Tv Klan