Kryeministri Edi Rama ka reaguar për sulmin në një treg Krishtlindjesh në Magdeburg të Gjermanisë. Përmes një postimi në rrjetin social “X”, Kyeministri Rama shkruan se ndihet i tmerruar nga “sulmi terrorist që ka marrë jetë të pafajshme dhe ka plagosur shumë persona gjatë festimeve”.

Më tej, Kryeministri Rama shpreh solidarizimin e Shqipërisë me Gjermaninë në këtë moment të dhimbshëm teksa shton se mbetemi të bashkuar kundër terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm.

“Vërtet i tmerruar nga sulmi terrorist në Magdeburg, që mori jetë të pafajshme dhe plagosi shumë te tjerë gjatë festimeve në Marketin e Krishtlindjeve. Shqipëria e dënon ashpër këtë akt barbar dhe qëndron në solidaritet me Gjermaninë në këtë moment të dhimbshëm. Mbetemi të bashkuar kundër terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm”, shkruan Kryeministri Rama në rrjetin social “X”.

Gjermania është tronditur mbrëmjen e sotme pasi një makinë përplasi një turmë të madhe njerëzish në një treg Krishtlindjesh në Magdeburg duke shkaktuar 2 viktima dhe 68 të plagosur, 15 prej të cilëve në gjendje të rëndë shëndetësore./tvklan.al