Policia e Kosovës ka arrestuar 8 persona si të dyshuar për shpërthimin e së Premtes mbrëma të kanalit të furnizimit me ujë në Ibër-Lepenc. Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla në konferencën për shtyp tha se sulmi ishte i mirëorganizuar nga ato që i cilëson si organizata terroriste. Sipas tij, me këtë akt synohej destabilizimi i gjithë rajonit.
“Ky sulm nuk është vetëm i orkestruar, por edhe i mirë organizuar nga organizata terroriste. Qëllimi i tyre ka qenë të maksimalizohet dëmtimi në dëm të qytetarëve të Kosovës. Në 10 lokacione janë kryer kontrolle dhe janë arrestuar e shoqëruar në stacione policore 8 persona të dyshuar”.
Sveçla tha se eksplozivi i përdorur në këtë ngjarje që janë mendohet se janë 15 kilogramë, nuk gjendet lehtë, e sipas informacioneve janë marrë nga magazinat ushtarake të Serbisë. Gjatë aksionit të ushtruar policia ka konfiskuar një arsenal armësh, municione, eksplozivë, uniforma ushtarake dhe emblema.
Disa të dyshuar janë arrestuar në fshatrat e Zubin-Potokut të shtunën, gjatë bastisjeve nga Policia e Kosovë, pas shpërthimit të mbrëmshëm të kanalit të ujësjellësit në Ibër-Lepenc.
Mësohet se policia ka konfiskuar edhe disa materiale të ndryshme. Kryeministri Abin Kurti i pranishëm në Varragë, vendin ku ndodhi shpërthimi pasi i konfirmoi ndalimet nga policia, nuk dha detaje nga hetimet. Ai e cilësoi akt kriminal këtë ngjarje dhe për këtë bën përgjegjëse Serbinë.
“Ky ishte sulmi i tretë. Kishte dhe dy sulme të mëhershme në 72 orët e fundit. E ka bërë një organizatë që është profesioniste në sulme të tilla terroriste dhe aftësinë, kapaciteti, interesin për një gjë të tillë e ka veçse Serbia.”
Ndërkohë që presidentja Vjosa Osmani ka anuluar vizitën e planifikuar në Brunei. Ajo tha se ndërkombëtarët kanë ofruar ndihmën e tyre.
“I ftoj qytetarët të vazhdojnë të tregojnë qetësi e maturi derisa institucionet tona po merren me hetimin e rastit dhe riparimin e dëmit me profesionalizmin më të lartë.”
Pas kësaj ngjarjeje të rëndë u mblodh Këshilli i sigurisë së Kosovës i cili miratoi masa shtesë për të forcuar sigurinë rreth objekteve dhe shërbimeve kritike si ura, stacione, antena, liqene. Aktin e kanë dënuar në bllok Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian, duke kërkuar që përgjegjësit të vihen para drejtësisë.
Kanali furnizon me ujë nga Liqeni i Ujmanit disa qytete të vendit, si dhe Korporatën Energjetike të Kosovës. Megjithatë deri në riparimin e plotë të dëmeve janë bërë zgjidhje alternative dhe ka furnizim të rregullt me energji elektrike.
Tv Klan