Asnjë surprizë në raundin e 1/8-ave të Kupës së Shqipërisë. Kampionët në fuqi të kompeticionit, Egnatia nuk hasi aspak vështirësi ndaj Kastriotit. Skuadra e Superligës shqiptare ishte dominuese në fushën e lojës për të mos vënë në asnjë moment kualifikimin.

Rrogozhinasit shënuan 4 herë në portën e krutanëve për të garantuar kalimin në raundin çerekfinal të Kupës së Shqipërisë. Katër futbollistë të ndryshëm gjetën rrugën e rrjetës për t’i dhënë fitoren e thellë ekipit të teknikut Edlir Tetova. Një sukses që u vulos në pjesën e dytë të sfidës, në të cilën u shënuan tre gola, ndërsa fraksioni i parë kishte përfunduar në avantazhin minimal të një goli.

Ernest Gjoka shijon fitoren e parë në pankinën e Skënderbeut. Për korçarët pritej një sfidë tepër delikate ndaj kryesuesve të Kategorisë së Parë dhe këtë e reflekton edhe rezultati final. Bardhekuqtë shënuan vetëm një herë në fitoren 1-0 ndaj Vorës për të qenë ata pjesë e fazës çerekfinale të Kupës. Rabiu realizoi golin e fitores që çliron korçarët nga kriza e thellë e rezultateve.

Dinamo luan tenis për të merituar biletën në raundin tjetër. Kryeqytetasit triumfuan me shifrat e thella 6-1 ndaj Erzenit, falë edhe cilësive të sulmuesit kryesor Itodo. Nigeriani shënoi plot 3 herë për të qënë edhe ylli i skuadrës së Ilir Dajës në këtë takim.

Në goleadën e Dinamos kontribuan edhe futbollistë si Dejvi Bregu me penallti, Nani dhe Lorenco Vila që kompletoi fitoren. Shijakasit nuk bënë aspak rezistencë, pavarësisht se në minutën e 19-të barazuan shifrat në 1-1.

Klan News