Këto janë pamjet ku shihet zgjidhja e përkohshme që është bërë në kanalin e Ibër Lepenc duke vendosur një by-pass për qarkullimin e ujit.
Pas kësaj zgjidhje alternative pritet të bëhet vlerësimi i dëmit dhe rregullimi i këtij kanali i cili u dëmtua pas një shpërthimi me eksploziv që kishte ndodhur më 29 Nëntor të këtij viti.
Derisa hetimet janë duke vazhduar, dy persona të dyshuar të nacionalitetit serb vazhdojnë të mbahen në paraburgim.
Në publikimin e raportit “Siguria në veri të Kosovës pas sulmeve terroriste në Banjskë dhe kanalin e Ibër-Lepenc”, ministri i Brendshëm Xhelal Sveçla ka akuzuar pjesëtarë e Listës Serbe për përfshirje në trazira të vazhdueshme në veri.
Gjithashtu tha se strukturat paralele serbe kanë bashkëpunuar me Beogradin zyrtar dhe kanë pranuar urdhra nga Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç e Milan Radoiçiç.
Gjatë prezantimit të raportit u theksua se edhe pas sulmit terrorist në Banjskë, veriu i vendit u bë shënjestër i sulmit tjetër terrorist në kanalin e ujësjellësit të Ibër-Lepencit.
U rekomandua që institucionet e Kosovës të zhvillojnë kapacitete të mjaftueshme për parandalimin e sulmeve të mundshme terroristë në të ardhmen në Kosovë dhe të ndërmarrin masa shtesë të sigurisë për objektet e infrastrukturës kritike.
Tv Klan